Një mësues 58-vjeçar është proceduar penalisht në Finiq, pas publikimit në rrjetet sociale të një rasti të dyshuar për dhunë ndaj një nxënësi gjatë orës së mësimit.
Sipas njoftimit të policisë së Sarandë, shtetasi me inicialet G.N., banues në fshatin Velhov dhe mësues në një shkollë 9-vjeçare në zonë, është marrë nën hetim për keqtrajtim të një fëmije.
Materialet procedurale janë referuar në prokurori, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autoritetet bëjnë me dije se janë siguruar edhe pamje që lidhen me rastin, ndërsa po mblidhen dëshmi të mëtejshme.
Rasti ka shkaktuar reagime, pasi u bë publik fillimisht në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë dhe trajtimin e nxënësve në ambientet shkollore.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të marrë masat përkatëse ligjore ndaj mësuesit.
