Federata Argjentinase e Futbollit është vënë në qendër të një hetimi nga autoritetet amerikane, në një zhvillim që mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar si një nga skandalet më të mëdha financiare në sport.
Lajmi vjen në një moment kur Argjentina feston kualifikimin në çerekfinale pas një përmbysjeje ndaj Egjiptit, ndërsa jashtë fushës së lojës federata përballet me akuza serioze.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, FBI ka hapur një hetim mbi dyshimet për mashtrim financiar dhe pastrim parash, ku vlera e skemës së dyshuar llogaritet në rreth 300 milionë euro.
Autoritetet amerikane po hetojnë transaksione dhe veprime të kryera në territorin e Shteteve të Bashkuara, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetet financiare të Federatës Argjentinase të Futbollit.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi personat nën hetim apo natyrën e plotë të transaksioneve të dyshuara, ndërsa autoritetet vijojnë mbledhjen e provave.
Çështja ka ngjallur interes të madh në arenën ndërkombëtare sportive dhe pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe përgjegjësit e mundshëm.
