Pavarësisht gjetjeve alarmante të një investigimi të vitit 2021 të INA Media, i cili zbuloi se vetëm 1,200 nga mbi 10,000 ashensorë në Shqipëri kishin çertifikata sigurie, shumë pak ka ndryshuar në katër vitet e fundit. Me zbatimin e dobët të rregulloreve të sigurisë dhe mbikëqyrjen administrative të pamjaftueshme, qytetarët vazhdojnë të përballen me rreziqe serioze çdo ditë.
Në dhjetor të 2021, INA MEDIA do të publikonte një shkrim në lidhje me sigurinë e ashensorëve në vend. Gjetjet e këtij investigimi paraqisnin një situatë sigurie të rëndë, ku nga më shumë se 10 mijë ashensorë në të gjithë territorin e republikës, vetëm 1200 ishin të pajisur me çertifikatë sigurie, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për mbi 8800 ashensorët e tjerë që funksionojnë në vend. Personi i cili duhet të ndjekë gjithë procedurën ligjore për sigurinë e ashensorëve, është pikërisht administrator i pallatit, por në 2021, të dhënat e sigurara nga INA MEDIA treguan se shumë pallate nuk kanë administrator. Ndërkohë institucioni shtetëror i cili duhet të çertifikojë këto paisje është Inspektoriati Shtetëror i Mbykqyrjes së Tregut, të cilit për të çertifikuar të gjithë ashensorët në vend do t’i duheshin sëpaku 15 vite. Investigimi nxorri në pah edhe faktin që në vend funksionojnë më shumë se 8800 ashensorë pa patur një çertifikatëƒ sigurie të lëshuar nga ISHMT, që tregon se ligji shkelet edhe nga kompanitë që bëjnë mirëmbajtjen e dhe lejojnë përdorimin e këtyre paisjeve pa patur një çertifikatë sigurie.
Por, tashmë 4 vite pas këtij shkrimi, shumë pak duket të ketë ndryshuar nga situata e përshkruar në shkrimin e INA Media.
Bashkitë nuk zbatojnë ligjin
I gjithë procesi I çertifikimit të ashensorëve në vend, iniciohet nga administratorët e godinave, zgjedhja e të cilëve kryhet nga vet banorët, por ligji nr. 10112 datë 09.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, nga të dhënat e grumbulluara në qytetet me të mëdha në vend, nuk zbatohet në pjesën më të madhe të tyre.
Praktikisht duhet të jenë vetë banorët e pallatit, të organizuar në asamble, të zgjedhin kryesinë dhe më pas administratorin, një ndër detyrat e të cilit është edhe regjistrimi i ashensorit pranë ISHMT-së, lidhja e kontratës me një kompani mirëmbajtëse, si dhe lidhja e kontratës me një trupë të autorizuar për kryerjen e kontrollit teknik, periodik.
