Teliti: Financimi i koncertit të Kanye West me fondet e shtetit është skandal financiar, Prokuroria të nisë hetimet

Data

Eksperti për çështjet ekonomike i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, e ka cilësuar financimin me 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West si një “skandal të përmasave të mëdha financiare”, duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë për hetimin e vendimmarrjes së qeverisë.

Gjatë një interviste televizive, Teliti deklaroi se përdorimi i fondit rezervë të buxhetit për një aktivitet privat bie ndesh me Kushtetutën, ligjin organik të buxhetit dhe ligjin vjetor të buxhetit.

“Jemi përballë një skandali të tmerrshëm financiar. Është shkelur haptazi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ligji organik i buxhetit dhe ligji vjetor i buxhetit. Të gjitha këto janë shkelur pa asnjë ndrojtje nga qeveria,” u shpreh ai.

Sipas Telitit, fondi rezervë i shtetit është krijuar për situata të jashtëzakonshme, si fatkeqësi natyrore, emergjenca publike apo shpenzime të paparashikuara, dhe nuk mund të përdoret për financimin e një koncerti privat.

“Ky është një aktivitet privat. Qeveria merr paratë e buxhetit të shtetit dhe ia kalon një kompanie private me justifikimin e promovimit të turizmit. Kjo nuk qëndron as në tokë dhe as në qiell,” deklaroi ai.

Teliti argumentoi se mungojnë të gjitha kushtet ligjore që justifikojnë përdorimin e fondit rezervë, duke përmendur mungesën e urgjencës, interesit publik dhe elementit të paparashikueshmërisë.

“Fakti që nuk janë shitur biletat e një koncerti nuk mund të justifikojë përdorimin e parave të taksapaguesve. Nuk mund të merret fondi rezervë për t’ia dhënë organizatorëve të një eventi privat,” tha ai.

Ai ngriti gjithashtu pretendime se administrata publike po përdoret për të nxitur pjesëmarrjen në koncert, si përpjekje për të mbuluar interesin e ulët të publikut.

Në përfundim, Teliti kërkoi nisjen e një procedimi penal ndaj të gjitha institucioneve që, sipas tij, kanë marrë pjesë në këtë vendimmarrje.

“Prokuroria duhet të veprojë menjëherë. Duhet të hetohen ata që e kanë propozuar këtë financim në Ministrinë e Financave, ata që e kanë miratuar në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendi që pritet ta votojë. Fondi rezervë është krijuar për emergjenca kombëtare, jo për financimin e aktiviteteve private,” përfundoi Teliti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related