Përmes një video në rrjete sociale Tabaku shprehet se njësoj si 11 buxhetet e viteve të kaluara, edhe ky i 2025, përqendrohet në pak duar.
“Buxheti i vitit 2025 nuk është buxheti i 95% të shqiptarëve. Është një buxhet tjetër socialist, në shërbim të 5% të privilegjuarve, njësoj si 11 buxhetet e kaluara që kanë përqendruar ekonominë në pak duar”, tha ajo.
“Duhet të vendosim rregulla për një taksim të drejtë mbi punën dhe bizneset, që mbështesin sipërmarrësit dhe idetë novatore, jo të subvencionojmë largimin e shqiptarëve. Së dyti, bujqësia duhet të subvencionohet dhe mbështetet me politika që nxisin prodhimin dhe zhvillimin e fshatit, jo të pengohet me taksa të padrejta. Së treti, buxheti duhet të shpërndahet në sektorë prioritarë si arsimi, që rinia të jetë e përgatitur për tregun e punës, dhe shëndetësia, që shqiptarët të mos përballen me raste tragjike për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore”,shprehet Tabaku.
Nga viti 2013 e deri më sot janë miratuar 12 buxhete socialiste. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve me ekonominë shqiptare dhe me financat e grupeve më të rëndësishme të shqiptarëve? Le ta nisim me pensionistët, duke vazhduar me rininë, shtresën e mesme, profesionistët e lirë dhe duke përfunduar me bujqësinë.
Sot kemi një model ekonomik të përqendruar në pak duar. Dyqind biznese përfitojnë thuajse të gjithë të ardhurat ekonomike të vendit. Ky model ekonomik favorizon vetëm 5% të shqiptarëve, të cilët përfitojnë ulje taksash, lehtësira dhe fonde nga buxheti i shtetit, ndërsa 95% e qytetarëve mbajnë mbi supe koston e rritjes së çmimeve, taksave të larta dhe shpërndarjes së padrejtë të buxhetit.
Le t’i analizojmë me radhë. Sipas INSTAT-it, çmimet janë rritur me 55%. Po pensionet? A janë rritur ato me të njëjtën përqindje? A janë sot pensionistët më mirë apo më keq? Ndërkohë që ata paguajnë çmime të ngjashme me ato të vendeve të Bashkimit Europian, marrin pensionet më të ulëta në rajon dhe sigurisht shumë më të ulëta se në BE. Fuqia blerëse e pensionistëve shqiptarë është vetëm 40%. Në të vërtetë, shqiptarët shpenzojnë 40% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime.
