Fajde mbi 200 mijë euro dhe përvetësim pasurish me vlerë shumëfish, Prokuroria e Korçës mbyll hetimet dhe dërgon në gjyq tre persona

Data

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas, të akuzuar se kanë dhënë mbi 200 mijë euro me fajde, duke përfituar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë shumë herë më të madhe se shumat e dhëna borxh.

Sipas hetimeve, njëri prej të pandehurve ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por gjatë ditës largohej nga banesa për të vijuar aktivitetin e paligjshëm. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan rreth 92 sende dhe dokumente, përfshirë kontrata noteriale shitblerjeje, dhurimi, hipotekimi dhe pengu, si edhe mjete identifikimi, telefona, çelësa automjetesh dhe disa automjete.

Prokuroria konkludoi se të pandehurit ushtronin veprimtari të palicencuar kredidhënieje, duke vendosur garanci reale mbi pasuri, me afate të shkurtra shlyerjeje, zakonisht 3-mujore, pa qenë të pajisur me licencë nga Banka e Shqipërisë. Në shumë raste, për borxhe relativisht të vogla, janë kaluar në pronësi të tyre automjete apo pasuri të paluajtshme me vlerë shumëfish më të lartë.

Hetimet tregojnë se pasuritë e përfituara nga kjo skemë janë disa herë më të mëdha se shumat e dhëna si borxh, ndërsa kontratat civile janë përdorur për të maskuar fajden dhe për të siguruar përvetësimin e pasurive. Po ashtu, rezultoi se pasuritë dhe lëvizjet financiare të të pandehurve nuk justifikohen me të ardhura të ligjshme, duke provuar edhe akuzën e pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.

Tre shtetasit do të përballen me gjykimin për ushtrim të palicencuar të veprimtarive financiare, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të kryera në bashkëpunim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related