Gjykata ka dhënë vendimin përfundimtar ndaj Ilir Beqarajt, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e ish-policit të burgjeve Gentjan Bejtja, një ngjarje që tronditi opinionin publik më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.
Trupa gjykuese e shpalli Beqarajn fajtor dhe e dënoi me 24 vite burg, për veprat penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “mbajtje pa leje të armëve” dhe “falsifikim dokumentesh”. Dënimi u dha pas shqyrtimit të provave dhe rrethanave të ngjarjes, të cilat, sipas gjykatës, vërtetojnë përfshirjen e tij në krimin e rëndë.
Gentjan Bejtja u qëllua për vdekje me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, në një atentat të organizuar, që solli reagime të forta publike për sigurinë dhe aktivitetin kriminal në zonë. Prokuroria kishte kërkuar një dënim mbi 23 vite burg, duke argumentuar se vrasja ishte e planifikuar dhe e kryer në bashkëpunim.
Me këtë vendim, gjykata konfirmon linjën e akuzës së organit të prokurorisë, ndërsa çështja konsiderohet një nga rastet më të rënda kriminale të vitit të kaluar.
