Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike dhe ligjore në Shqipëri, duke kritikuar veprimet e qeverisë dhe SPAK-ut. Në një postim të saj të fundit në rrjetet sociale, Kokalari ka shprehur dyshime të forta për ndikimin e korrupsionit dhe përpjekjet e individëve të pushtetit që përdorin opozitën për të maskuar pasuritë e paligjshme që kanë fituar. Në reagimin e saj, Kokalari është shprehur se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lënë jashtë hetimeve një figurë të rëndësishme që është pasuruar pikërisht nga korrupsioni qeveritar.
Sipas saj, kjo figurë tani bën sikur lufton korrupsionin, një veprim që ajo e konsideron të njëanshëm dhe hipokrit. “Po, i ka ardhur hakut atij Artan Hoxhës, për Zotin. Por, prokurorë të nderuar të SPAK, keni harruar një tjetër figurë groteske që është pasuruar pikërisht nga korrupsioni qeveritar dhe tani bën sikur e lufton atë…”, shkruan Kokalari në postimin e saj, duke nënkuptuar një personazh të shquar në politikë, që sipas saj, po përpiqet të fshehë lidhjet e tij me korrupsionin dhe pasuritë e dyshimta.
Njëkohësisht, Kokalari paralajmëron se do të paraqesë një kallëzim në SPAK për këtë figurë të njohur dhe i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të tregojnë përgjegjshmëri dhe të mos bëhen vegla të pushtetit. “Një kallëzim do t’ua nis unë së shpejti. Asnjë mëshirë për të gjithë kupolën, politikanët dhe gazetarët që janë vegla të tyre”, shkruan ajo, duke theksuar nevojën për të ndëshkuar të gjithë ata që janë të lidhur me korrupsionin dhe që përfitojnë nga pushteti.
“Ditët e zeza” për Edi Ramën
Në postimet e saj, Kokalari gjithashtu ka kritikuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se ai ka shfaqur një pushtet të ekzagjeruar që është e qartë se ka për qëllim vetëm mbajtjen e tij në pushtet me vjedhje dhe manipulim të votave. Ajo thotë se është koha për të larguar Ramën nga posti i kryeministrit, duke paralajmëruar se “ditët e zeza” e presin atë, siç po ndodh tani me ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Gabimi më i madh që bëjnë këta të kupolës 33-vjeçare është se nuk kuptojnë kur ‘MJAFT është MJAFT’,” përfundon Kokalari, duke bërë thirrje për një ndryshim të madh dhe një luftë të sinqertë kundër korrupsionit dhe abuzimeve në pushtet. Reagimet e Kokalarit vijnë në një moment të tensionuar politik dhe ligjor në Shqipëri, ku prokuroria po sulmohet fort nga opozita për mënyrën si po trajtohen hetimet dhe procedurat ligjore kundër personave të përfshirë në korrupsion dhe krime të tjera.
Kokalari, një nga zërat më të fortë të opozitës, po i bën thirrje SPAK-ut që të veprojë pa dallim dhe të ndjekë të gjithë ata që abuzojnë me pushtetin dhe pasurinë e paligjshme. Kujtojmë se pak ditë më parë, aktivistja u shpreh se SHBA e kanë futur Ramën në listën ku ndodhet Berisha dhe Ilir Meta. “Jemi akoma larg zgjedhjeve në Shqipëri, por herë pas here do të postoj ato që mendoj se janë pengesat më të mëdha për një ndryshim radikal në politikën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Sali Berisha duhet të dalë nga loja sa më shpejt, përpara se të jetë vonë, dhe jo të kontrollojë partinë për interesat e tij.
Të gjitha shanset, mundësitë, energjia dhe dashamirësia i kemi dhënë. Shitja e zgjedhjeve lokale për Kullën e Malit e ka mbyllur kapitullin e tij, sepse vërtetoi që jo vetëm ka qenë i korruptuar, por pa pikë turpi vazhdoi duke thyer besimin te të gjithë. Edi Rama bën mirë që nuk e jep ishullin e Sazanit për benefite politike, sepse kjo çështje do të shtyhet në Senatin Amerikan. Nëse SPAK nuk investigon të njëjtat gjëra si Senati, thjesht do të vërtetojë atë që thotë Berisha, se i shërben Edi Ramës.
