Në politikën ndërkombëtare, java e kaluar u mbyll me një samit për Ukrainën në Londër, që nxori në pah dallimet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleateve të saj evropiane për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe për figurën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Një takim në Zyrën Ovale mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump, dy ditë më parë shtoi rëndësinë e bisedimeve të 2 marsit, të organizuara nga kryeministri britanik, Keir Starmer. Takimi përfshiu dhjetëra liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas.
Të pranishëm ishin edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në konferencë nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues i SHBA-së, megjithëse Starmer deklaroi përpara samitit se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Ukraina, “dhe ndoshta një ose dy të tjerë”, do të punonin për një plan paqeje që do ta diskutonin me Uashingtonin.
Nëse kishte dyshime më parë, tashmë do të jetë më e qartë se kurrë për Zelenskyn se vendi i tij gëzon një mbështetje të madhe morale në kontinentin evropian.
