Plas sherri brenda mazhorancës, Xhafaj-Braçe dalin kundër ministrit Manja dhe sulmojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla shtynin votimin e pr/ligjit pas debatit

Data

Tentativa për të votuar në seancën e djeshme rritjen e pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pas muajsh të tërë në kërkim të 84 votave dështoi sërish, ndërkohë që socialistët u përplasen me njëri-tjetrin, ku deputetët Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe dolën hapur kundër ministrit Manja dhe anëtarëve të GJK. Me kërkesë të kreut të grupit të PS, Bledi Çuçi, votimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese u shty sërish. Projektligji në fjalë, parashikon se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Me ndryshimet e propozuara rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë. Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj, i cili dikur ka mbajtur dhe postin e ish ministrit të Drejtësisë janë kundër. Kundër janë dhe deputetët e opozitës, ndërkohë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja renditi tre arsyet pse duhet votuar pr/ligji.

Xhafaj: Absurditet

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj në fjalën e tij nga foltorja e Parlamentit doli kundër projekt-ligjit. Xhafaj u shpreh se shtesat mbi pagë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të parashikuar në projekt-ligj është një absurditet. “Mbështetja për sistemin e drejtësisë përfshirë rritjen e pagave ishte arritje kryesore. Sot pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të pakrahasueshme me epokën para reforme. Nuk ka qenë aspak lajthitje ajo që kemi bërë me reformën. Rezultatet e SPAK dhe BKH, rritja e treguesve të punës në Gjykatën e Lartë, dëshmojnë se jemi në rrugën e duhur. Sot kemi një projektligj, e cila në thelb ka rritjen e pagave për gjyqtarëve kushtetues. Gjykata Kushtetuese është një institucion kyç në shtetin e së drejtës, garant i mbrojtjes së Kushtetutës. Kemi qenë me fat që me gjithë tranzicionin e çmendur në këtë vend, Gjykata Kushtetuese në vite ka dëshmuar integritet, profesionalizëm, e vlerësuar nga opinion publik. Gjykata aktuale ka sfidën për ta ruajtur me fanatizëm këtë traditë të mirë, me paanshmëri objektive. Gjykata Kushtetuese aktuale ka një përbërje të mirë, ka profesionistë me përvojë. Gjykata ka dhe një staf këshilltarësh, të cilët mund të jenë burim për drejtësinë kushtetuese. Personalisht bëj pjesë tek ata që shpresoj se pas kalimit të kësaj faze tranzicioni, është momenti që Gjykata Kushtetuese të bëjë ndryshimin e duhur, të dëshmojë paanshmëri, profesionalizëm, koherencë në rruajtjen e praktikave më të mira në vote. Jemi në pritje të shohim autoritetin kushtetues të këtij institucioni. Paga e ndihmon pavarësinë, por nuk është baraz integritet, profesionalizëm. Për pozicionin e rëndësishëm që ka Gjykata Kushtetuese, por rolin që luan në forcimin e shtetit të së drejtës, formimi financiar është i rëndësishëm. Jam dakord për rritjen e pagës referuese, por nuk jam fare dakord për shtesën mbi pagë të aplikuar mbi të për arsye vështirësie. Argumentet që diskutohen nuk janë bindëse dhe e bëjnë të diskutueshme këtë vendimmarrje. Gjykata Kushtetuese nuk është maja e piramidës në sistemin e drejtësisë. Është pakujdesi në të shkruar, apo reminishencë e praktikave të mëparshme. Përpjekja për ta futur në këtë rol Gjykata Kushtetuese në raport me vendimet e SPAK dhe GJKKO do ishte kthim prapa me pasoja për shtetin e së drejtës. I bie që një gjyqtar kushtetues të paguhet më tepër se presidenti, ministrat apo kryeministri. Bie argumenti i hierarkisë së pagave në piramidën shtetërore. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar nga statusi i kësaj gjykate që nga krijimi. As nga reforma. GJK nuk bën ndonjë rol ndryshe nga GJK e vendeve të tjera. Nuk ka logjikë të përafrojë ngarkesën e punës së kësaj gjykate me ngarkesën e Gjykatës së Lartë dhe SPAK. Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetuese me prokurorët e SPAK është lajthitje. Do të ishte mungesë vlerësimi për punën e SPAK, në punën ndaj krimit dhe korrupsionit”, shprehet Fatmir Xhafaj.

Braçe: Jam kundër, por refuzoj gjuhën e shantazhit

Ndërkohë edhe deputeti i PS, Erjon Braçe është kundër por refuzon gjuhën e opozitës të cilën e quan si shantazh. “Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por refuzoj kategorikisht që të përdor gjuhën që ju përdorni”, deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit, deputeti Braçe.

Opozita kundër rritjes

Qëndrimin kundër rritjes së pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Partia Demokratike e lidhi edhe me vendimet kundër padive që kjo e fundit ka bërë. “Nëse kjo do të miratohej do ishte njollë turpi për Parlamentin e Shqipërisë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese si respektoni. Ka demonstruar shpeshherë një qasje pro-mazhorancës, pro-qeverisë”, tha deputeti i PD, Dashnor Sula. Më pas një koment e pati edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku. “Aventurë që prish balancën e drejtësisë…. Gjykata Kushtetuese me 18 shqyrton tatimin mbi profesionet e lira”, tha Jorida Tabaku. Ndërsa për Erion Braçen këto argumente ishin shantazh i drejtpërdrejtë ndaj Kushtetueses. “Këtë lloj gjuhe, që ne nuk ju rrisim rrogat, se keni një vendim për të marrë, është shantazh i drejtpërdrejtë, nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. Sa për dijeninë tuaj edhe unë jam kundër këtij projektligji, por kjo gjuhë nuk pranohet”, nënvizoi Braçe.

Tabaku: Nëse funksiononi me shantazhe, është rruga juaj, jo e imja.

Sula: Ne nuk jemi nga ata që çojmë kode mafioze drejtësisë…

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related