Pasi të shtunën mblodhi kryetarët e bashkive dhe kabinetin qeveritar, dje ditën e dytë të vizitës në Shkodër kryeministri Edi Rama e rezervoi për strukturat e Partisë Socialiste. Me këta të fundit, ndryshe nga ai me kryebashkiakët dhe ministrat, takimet dukeshin më miqësore dhe plotësisht të hapura edhe për publikun. Në fokus të takimit ka qenë rienergjizimi i Partisë Socialiste, proces në të cilin janë përfshirë të gjitha strukturat në të gjithë vendin. Rama është ndalur tek nevoja e anëtarësimeve të reja, thithja e të rinjve rreth kësaj force politike si e vetmja alternative që i ofron mundësi të rinjve dhe vendit. Gazeta “SOT” zbardhi edhe diskutimet me anëtarët e PS, ku Rama një derë të hapur e la lënë edhe për demokratët, duke theksuar se i kanë lënë pas ndasitë e së shkuarës. “Duhet të jemi më gjithëpërfshirës në Shkodër, të hapim dyert për të gjithë edhe për demokratët që në Shkodër kemi Benetin kështu që demokratët e kanë derën e hapur”, mësohet të ketë thënë kryeministri Rama.
Rama-socialistëve: Shkodra peng i së shkuarës, aktivizohuni në rrjetet sociale
Po ashtu, gazeta “SOT” ka mësuar se Rama ka kërkuar nga socialistët që të jenë më aktivë në rrjetet sociale dhe të promovojnë punët e mira që po bëhen në Shkodër, por edhe në të gjithë vendin pasi është një mënyrë që funksion dhe rrit besimin e të tjerëve ndaj PS. Në fjalën e hapur për mediat, kreu i qeverisë është ndalur në punën që do bëhet për qytetin e Shkodrës, e cila për herë të parë u ‘kthye rozë’ në zgjedhjet vendore të 14 majit. Rama thotë se qeveria do ketë mbështetje pa kursim për Shkodrën, pasi është një nga bashkitë më të prapambetura në vend, për shkak se mbeti peng i së kaluarës. “Nuk diskutohet që ne e mbështesim pa kushte dhe pa kufizim, sepse Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin kombëtar. Shkodra është e prapambetur me bashkitë tjera, ishte pengu i një krenarie të humbur që përkthehet në një mllef vetëagjësues, refuzimi për ndryshim duke u kapur pas së shkuarës”, u shpreh ai. Ai i ka kërkuar drejtuesve të kësaj force politike që të jenë pranë organizatave socialiste dhe të flasin me njerëzit për problemet dhe nevojat që ato mund të kenë dhe që mund t’i zgjidhen. Nuk kanë munguar edhe batutat mes socialistëve kur një prej pjesëmarrësve i ka rënë telefoni gjatë takimit ndërkohë që me batutë Rama i është kthyer “Me siguri është gruaja”, duke e kaluar me batutë këtë moment.
Kryeministri jep detaje nga takimi me kryebashkiakë
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje nga takimi në Shkodër me kryebashkiakët. Para gazetarëve, ai renditi sfidat me të cilat përballet pushteti vendor, ku më problem mbetet kriza financiare. Rama deklaroi gjithashtu se do të punohet për të rritur pagat, pasi në bashki pagat janë të ndara në 5 nivele dhe ka dallime të mëdha mes tyre. “Diskutuam për tema të rëndësishme që përbëjnë edhe pikat e rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE. Është një proces që kërkon angazhim dhe rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria. Sepse nuk integrohet qeveria në BE , por Shqipëria”, tha ai. Më tej kreu i qeverisë njoftoi për shpërblim me paga më të larta për punonjësit e bashkisë. “Kemi domosdoshmërinë e rishikimit të pagave të bashkisë. Ne do kalojmë në 2 nivele dhe do vijojmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve të bashkisë”, shtoi ai.
Reforma Territoriale
Sakaq Rama ka komentuar Reformën Territoriale i cili tha se do një fazë të dytë për reduktimin e bashkive, teksa theksoi se për t’u bërë kjo duhet konsensus me pakicën. Ai u shpreh se ky është një debat që vetëm harxhon kohë. Ai theksoi se vendit i duhen më pak bashki pasi do të prodhojnë më shumë ekonomi dhe rezultate pozitive. “Reforma territoriale do më pak bashki, por kjo kërkon konsensus me një pjesë të pakicës por ky është një debat vetëm harxhim kohe. Është e sigurt se nëse bashki të caktuara nëse bashkohen me një tjetër, mund të prodhojnë më shumë ekonomi, rezultat. Për shërbimet janë të qarta sesi do të jetë e ardhmja e tyre. Shqipërisë i duhen më pak bashki dhe më shumë kualitet në administrimin vendor”, theksoi Rama.
Ligji për zonat e mbrojtura
Ndërsa për ligjin e Zonave të Mbrojtura që u miratua në Kuvend më 22 shkurt, kryeministri Edi Rama u shpreh se synohet që rritja e numrit të turistëve të konvertohet edhe në rritje të të ardhurave. Sa i takon akuzave nga opozita se me këtë ligj preken zonat e Mbrojtura dhe përfitojnë njerëz të afërt të Ramës, kreu i qeverisë tha se askush nuk mund t’i japë leksione PS për atë çfarë është bërë në 10 vite për rikthimin në jetë të monumenteve të trashëgimisë kulturore. “Temë që e kam shumë për zemër dhe që më bën të qesh shumë sepse çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të rikthyer në jetë monumentet e trashëgimisë kulturore, bën që unë të them se askush nuk ka gojë të na japë ne leksione për çështjen e qasjes ndaj mjedisit apo trashëgimisë kulturore. Ne kemi vënë në mbrojte zona të tëra. Jemi para një sfide që është sfida e shekullit që është çfarë presim ne nga turizmi. Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse është shumë e mirë por shumë e rrezikshme, këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar nëpër këto faza. Nuk duhet synuar vetëm rritja e numrave por edhe rritja e të ardhurave nga ajo që sjell çdo turist”, u shpreh kryeministri.
Çështja “Beleri” dhe deklaratat e Athinës
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama në konferencën për gazetarët, u pyet nëse do të ketë zgjedhje të reja në Himarë, pas dënimit me 2 vite burg nga GJKKO për Fredi Belerin. Kryeministri i është përgjigjur Athinës lidhur me reagimet për çështjen “Beleri”, teksa u shpreh se drejtësia shqiptare duhej të ishte lënë e qetë në procesin e vendimmarrjes për një ngjarje që ka ndodhur brenda territorit të vendit tonë. “Do kishte qenë fort e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për çështjet brenda nga cilido jashtë Shqipërisë. Sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje brenda territorit. Zotëria është shtetas i Shqipërisë. Për ne që nuk komentojmë veprime tingëllon cingërrisëse që dëgjojmë zëra që komentojnë në gjuhë të huaj vendime të gjykatave të Shqipërisë”, tha Rama. I pyetur nëse do të organizohen zgjedhje të tjera në Himarë për një kryebashkiak të ri, Rama tha se duhet të presim vendimin e Apelit të GJKKO-së për diçka të tillë teksa sqaroi zgjedhjet e reja nuk i shpall kryeministri por Presidenti. “E dini shumë mirë këtë çështje, e dini pse nuk kemi pasur zgjedhje. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e vullnetit të mirë nga ana e Shqipërisë, do presim vendimin e Apelit dhe pastaj do veprohet. Por iu kujtoj se zgjedhjet e reja i shpall presidenti dhe jo kryeministri. Është një proces që do ndjekë gjithë procedurën sipas ligjit”, nënvizoi Rama.
