Partia Demokratike akuzon mazhorancën socialiste për bllokim të qëllimshëm të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se mazhoranca po shkel hapur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke refuzuar të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës.
Sipas Nurit, mbledhja e këshillit është ndërprerë në mënyrë “absurde, antikushtetuese dhe antiligjore”, ndërsa kryetarja e Kuvendit po injoron kërkesat zyrtare të depozituara nga opozita, ndonëse rregullorja parashikon qartë se gjysma e anëtarëve të opozitës kanë të drejtë të kërkojnë mbledhjen e komisionit.
Ai theksoi se edhe mbledhjet e fundit të kërkuara nuk pasqyrohen në kalendarin zyrtar të punimeve të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të zvarritur procesin në mënyrë të paafatë dhe të qëllimshme.
“Është hera e parë që një kërkesë e prokurorisë për heqjen e imunitetit të një deputeti apo ministri zvarritet në këtë mënyrë. Ky është një rast i paprecedentë në historinë e parlamentarizmit shqiptar,” u shpreh Nuri.
Ai e krahasoi situatën me rastin e ish-ministrit Tahiri, duke theksuar se edhe pse pati përpjekje për zvarritje, procesi nuk u bllokua plotësisht. Sipas tij, justifikimi se mbrojtjes i duhet kohë për t’u njohur me “dosjen voluminoze” është vetëm një pretekst, pasi Kuvendi nuk ka caktuar asnjë afat konkret për rifillimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK.
Nuri nënvizoi se kjo paqartësi e plotë jo vetëm që pengon punën e drejtësisë, por krijon edhe një ngërç institucional serioz, duke shkelur parimet themelore të shtetit ligjor dhe llogaridhënies politike.
