Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, i ftuar në emisionin “Studio 24” në News24, ka komentuar aksionin e SPAK në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i cili çoi edhe në arrestin shtëpiak të drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, duke e cilësuar këtë çështje si një nga më të rëndat e viteve të fundit.
Sipas Semanajt, grupi i goditur brenda AKSHI-t nuk përbën thjesht një rast korrupsioni, por një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, pasi përveç përfitimeve nga fondet publike, kishte në kontroll edhe të dhëna tepër sensitive të shtetit shqiptar.
“AKSHI është qeveria digjitale. Aty kalon 100% e ministrive, regjistri i bizneseve, transaksionet e thesarit dhe sistemet IT të gjyqësorit. Nëse SPAK e konsideron këtë një grup të strukturuar kriminal, atëherë është cenuar siguria kombëtare”, deklaroi Semanaj.
Tendera të kapur dhe kërcënime ndaj konkurrencës
Eksperti theksoi se prokurimet publike në AKSHI, sipas tij, ishin kapur nga një mekanizëm kriminal, ku rreth 95% e tenderave përfundonin tek dy persona, ndërsa kishte edhe presione dhe kërcënime ndaj operatorëve të tjerë për të mos konkurruar.
Ai ngriti gjithashtu dyshime për lidhje të pazakonta mes kompanive fituese dhe kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se AKSHI ka qenë prej vitesh objekt denoncimesh publike për mënyrën se si janë administruar tenderat dhe të dhënat shtetërore.
“Kjo çështje është shumë herë më e madhe se rasti Balluku”, u shpreh Semanaj, duke theksuar peshën strategjike që ka AKSHI për funksionimin e shtetit.
“Diella” ka dështuar
Duke komentuar edhe projektin “Diella”, Semanaj u shpreh se ai ka dështuar plotësisht, pasi institucioni që duhej të garantonte integritetin e tij është i njëjti që, sipas tij, është kapur në shkelje të rënda.
“Diella ka rënë. Institucioni që do të duhej ta trajnonte dhe ta kontrollonte, u kap ‘me presh në duar’. Inteligjenca artificiale vetëm përshpejton proceset. Nëse proceset janë të korruptuara, korrupsioni bëhet edhe më i shpejtë”, deklaroi ai.
Varësia direkte nga Kryeministria
Në fund, Semanaj theksoi se AKSHI ka varësi direkte nga Kryeministria, ndërsa drejtoresha Karçanaj raporton drejtpërdrejt te kryeministri.
“Sado arrestime të bëhen, nëse nuk ndryshohen proceset rrënjësisht, problemi do të vijojë”, përfundoi eksperti i sigurisë kibernetike.
