Meta kërkon heqjen e “kafazit të xhamit”: “Po më shkelen të drejtat kushtetuese – të mos mbahem i izoluar në sallën e gjyqit”

Data

Avokati i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke pretenduar se ish-presidentit po i shkelen të drejtat kushtetuese përmes vendosjes së tij në një kabinë xhami apo kafaz metalik gjatë seancave gjyqësore.

Në kërkesë, avokati Kujtim Cakrani argumenton se mënyra e paraqitjes së Metës në sallë përbën një trajtim degradues, të ndaluar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje efektive.

Mbrojtja: “Izolimi krijon perceptimin e fajësisë së paracaktuar”

Sipas avokatit, izolimi fizik dhe vizual i Metës në kabinë xhami:

  • e stigmatizon atë para trupit gjykues dhe opinionit publik,
  • krijon përshtypjen e rrezikshmërisë,
  • sugjeron “fajësi të paracaktuar”,
  • pengon komunikimin e lirë dhe konfidencial me avokatin,
  • e trajton “si objekt sigurie dhe jo si subjekt të së drejtës”.

Mbrojtja i referohet edhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila në çështjen historike Svinarenko & Slyadnev kundër Rusisë (2014) e ka cilësuar vendosjen e të pandehurve në kafaz metalik si trajtim çnjerëzor dhe poshtërues.

Pretendimet ligjore: Shkelje e Kushtetutës dhe KEDNJ

Në kërkesën voluminoze, avokat Cakrani thotë se vendosja e Metës në kabinë të mbyllur cenon:

  • Nenin 3 të KEDNJ – ndalim absolut i trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues
  • Nenin 30 të Kushtetutës – prezumimi i pafajësisë
  • Nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ – e drejta për mbrojtje efektive
  • Dinjitetin njerëzor, të sanksionuar si parim themelor kushtetues

Mbrojtja argumenton se komisionet ndërkombëtare, përfshirë CPT, kanë kërkuar heqjen e plotë të kabinave të xhamit dhe kafazeve në sallat e gjyqit në Europë.

Meta: “Nuk zhvillojmë seancë derisa të hiqet trajtimi poshtërues”

Në përfundim, mbrojtja kërkon:

  • shqyrtimin dhe konstatimin e shkeljeve kushtetuese,
  • heqjen e menjëhershme të çdo forme izolimi fizik në sallë,
  • uljen e Metës pranë avokatit, pa barriera,
  • urdhrimin e administratës së gjykatës dhe forcave të sigurisë për respektimin e standardeve evropiane të procesit gjyqësor.

“Deri sa të merren masat për heqjen e shkeljes së dinjitetit njerëzor, ne nuk do të zhvillojmë seanca gjyqësore,” – thuhet në kërkesë.

Mbrojtja pret që gjykata të marrë masa “për rikthimin e normalitetit” dhe zhvillimin e gjykimit sipas standardeve të prezumimit të pafajësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related