EMRI+FOTO/ “Bos i kartelit shqipfolës” në Itali – Kush është Shaban Shima, shqiptari që drejtonte trafikun e drogës dhe lidhjet me klanet mafioze të Foggias

Data

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga operacioni i madh antidrogë në Foggia, ku 24 persona u arrestuan dhe në qendër të hetimit ndodhet një shqiptar i konsideruar nga autoritetet italiane si “forca lëvizëse” e një rrjeti të fuqishëm trafikimi droge.

Bëhet fjalë për Shaban Shima, 36 vjeç, i transferuar prej vitesh në Foggia, i cili sipas prokurorisë italiane drejtonte një kartel shqipfolës të drogës me lidhje të drejtpërdrejta me klanët mafioze lokale, përfshirë Trisciuoglio-Tolonese, Moretti-Pellegrino-Lanza dhe aleatët e tyre.

“Nuk jam unë, figurat e mëdha të Foggias po më kërkojnë…”, janë disa nga bisedat e përgjuara të Shimës, të publikuara nga media italiane, ku ai shfaqet duke negociuar pazare droge me Rocco Soldo, dhëndrin e kreut mafioz Raffaele Tolonese, i njohur si “Rafanill”.

Biseda që zbuluan lidhjet me mafian

Sipas hetuesve, bisedat e përgjuara në klubin “La Banda” në Piazza Padre Pio në Foggia dokumentojnë nivelin e lartë të trafikimit dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta të Shimës me qarqet kriminale më të fuqishme të zonës.

Këto përgjime u bënë çelësi që çoi në bastisjen e karabinierëve, arrestimin e 24 personave dhe një zbulim të pazakontë: një ujk i mbajtur në kafaz në një fshat, i cili u lirua dhe u dorëzua më pas në një qendër rehabilitimi për kafshë të egra.

Kartel droge me shtrirje kombëtare

Sipas dosjes hetimore, Shima furnizonte me kokainë dhe kanabis tregtarë pranë “Società Foggiana”, por edhe grupe kriminale aktive në Parma, Emilia-Romagna, Rieti, Molise dhe qytete të tjera italiane.

Ai ishte në gjendje të shpërndante 5 deri në 10 kilogramë drogë në një transaksion të vetëm, me një volum prej rreth 40 mijë dozash në muaj dhe fitime që arrinin deri në 200 mijë euro.

Hetimi i DDA dhe masat e sigurisë

Hetimi u zhvillua nga DDA e Barit (Antimafia) dhe nisi nga një çështje për fajde ndaj Anna Tolonese, motra e kreut mafioz Raffaele Tolonese, e arrestuar në shtator 2024.

Gjyqtarja hetuese Marialuisa Bencivenga ka urdhëruar:

  • 19 arrestime me burg
  • 5 masa arresti shtëpiak
  • 35 persona gjithsej nën hetim

Mes të arrestuarve ndodhet edhe vetë Shaban Shima, tashmë në burg, si dhe shtetas italianë, shqiptarë, rumunë, gjeorgjianë dhe moldavë.

Trafik kokaine me strukturë mafioze

Në urdhrin paraprak prej 474 faqesh, gjykata e identifikon Shimën si organizatorin kryesor të rrjetit të kokaine, që funksiononte me:

  • depo të fshehta
  • ambiente paketimi
  • kontabilitet të saktë financiar
  • kriptofona dhe ndarje sekrete në automjete

Paratë transferoheshin drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve dhe kamionistëve, ndërsa në janar u sekuestruan 40 mijë euro cash në një kontroll në Rrugën Shtetërore 16.

Një nga sekuestrimet më të rënda përfshinte 2 kg kokainë nga Bolivia, e cila rezultoi 96% e pastër, sipas analizave laboratorike të karabinierëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related