Përplasjet brenda Partia Demokratike janë ashpërsuar më tej, pasi ish-deputeti Ervin Salianji i është kundërpërgjigjur me tone të forta kreut të partisë, Sali Berisha.
Reagimi i Salianjit vjen pas deklaratave të Berishës, i cili kishte sugjeruar se disa figura brenda PD janë të lidhura me kryeministrin Edi Rama. Në përgjigje, Salianji ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Berishës për bashkëpunim të fshehtë me qeverinë dhe përfitime përmes lidhjeve me ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.
Sipas tij, Berisha ka përfituar “leje, licenca dhe tendera”, ndërsa e akuzon se nuk publikon dosje komprometuese për figura të rëndësishme politike për shkak të interesave personale. “Me Ballukun ti merr leje e tendera, por unë bëj zhurmë”, shkruan Salianji në reagimin e tij.
Ai e akuzon gjithashtu liderin historik të PD se është në një marrëdhënie të favorshme me qeverinë, duke përdorur një gjuhë të ashpër politike: “Të mban Rama në azil luksi”, shprehet Salianji, duke nënkuptuar se Berisha nuk përballet me drejtësinë për shkak të një marrëveshjeje të heshtur politike.
Në reagimin e tij, ish-deputeti shkon më tej duke e cilësuar situatën si një “regjim Rama–Berisha”, duke pretenduar se të dyja palët përfitojnë politikisht nga kjo përplasje e kontrolluar. Ai thekson se përjashtimi i tij nga gara për kreun e PD-së është i motivuar politikisht dhe lidhet me këtë raport.
Këto deklarata janë pjesë e një serie përplasjesh të forta brenda Partisë Demokratike, ku disa figura të rëndësishme kanë akuzuar drejtimin aktual për mungesë gare reale dhe për centralizim të vendimmarrjes.
Situata në selinë blu vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa gara për kryetar po shoqërohet me akuza të ndërsjella, përçarje dhe paralajmërime për beteja ligjore.
