Call center-at mashtrues në zemër të Tiranës/ Kopliku: Pas tyre qëndrojnë njerëz shumë të fuqishëm, jo “emra fasadë”

Data

Operacioni i fundit kundër call center-ave mashtrues ka zbuluar një realitet tronditës në kryeqytet: aktivitetet kriminale nuk zhvilloheshin në ambiente të fshehta apo periferike, por në kullat më luksoze dhe më të sigurta të Tiranës, në mes të qytetit.

I ftuar në një emision televiziv, analisti Taulant Kopliku theksoi se rasti i Tiranës ndryshon ndjeshëm nga skemat e ngjashme të zbuluara në vende të tjera europiane. Ai solli si shembull Qipron, ku një call center mashtrues i zbuluar nga emisioni investigativ “Le Iene” ndodhej në periferi, jo në qendër të kryeqytetit.

Sipas Koplikut, në Tiranë këto struktura operonin në dy nga kullat më të reja dhe më të shtrenjta, njëra prej të cilave strehon edhe një ambasadë me nivel maksimal sigurie. “Në mes të kësaj sigurie, funksiononte një biznes mashtrimi. Kjo tregon se këta njerëz ndihen të paprekshëm”, u shpreh ai.

Hetimet treguan se pas ndërhyrjes së parë policore, provat u zhdukën me shpejtësi dhe u transferuan në një kullë tjetër pranë zonës së ETC-së, e cila dyshohet se shërbente si bazë rezervë. Sipas Koplikut, kjo lëvizje e shpejtë dëshmon një organizim të lartë dhe burime të fuqishme financiare.

Ai ngriti gjithashtu dyshime serioze mbi versionin zyrtar se tre vëllezër nga Tropoja, aktualisht në kërkim, janë “truri” i këtij aktiviteti. “Askush nuk mund ta besojë këtë. Ata janë vetëm fasadë. Pas tyre fshihen njerëz shumë më të fuqishëm, me pushtet dhe lidhje, që nuk do të dalin kurrë në skenë”, tha Kopliku, duke e krahasuar skemën me “matrioshkat ruse”, ku gjithmonë ka një nivel tjetër më sipër.

Sipas tij, fakti që këto call center ishin të njohura gjerësisht nga publiku, ndërsa institucionet nuk reaguan për një kohë të gjatë, ngre pikëpyetje të forta mbi kontrollin, sigurinë dhe pandëshkueshmërinë në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related