Erisa Xhixho sulmon “Paketën e Maleve” dhe akuzon Edi Rama: “Nuk është zhvillim, por grabitje e pronës private”

Data

Deputetja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj nismës së qeverisë të njohur si “Paketa e Maleve”, duke e cilësuar atë si një skemë që, sipas saj, cenon pronën private dhe favorizon investitorët strategjikë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho akuzon qeverinë e drejtuar nga Edi Rama se po krijon kushte që investitorët të ndërhyjnë në pronat e qytetarëve, duke i detyruar këta të fundit të ndjekin procese të gjata gjyqësore për t’i mbrojtur.

Sipas saj, edhe në rastet kur qytetarët fitojnë në gjykatë, ata nuk arrijnë të rikthejnë pronën, por marrin vetëm kompensime që ajo i cilëson të papërfillshme.

“Paketa e Maleve nuk është zhvillim, është grabitje. Çdo investitor strategjik mund të investojë në pronën tënde, ndërsa ti detyrohesh të shkosh nëpër gjykata për ta mbrojtur. Edhe nëse e fiton gjyqin, pronën nuk e merr më — vetëm një kompensim qesharak dhe asgjë tjetër”, shprehet Xhixho.

Ajo e cilëson këtë nismë si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtën e pronës dhe një model që, sipas saj, rrezikon interesat e qytetarëve në favor të investitorëve.

Deklarata e saj vjen në një moment kur debatet mbi zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e pronës private vijojnë të jenë në qendër të diskutimit publik dhe politik në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related