Komuniteti Mysliman Shqiptar ka dhënë detaje për inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë që do të bëhet nesër, ku pritet të jenë prezentë kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Sipas njoftimit, thuhet se në ceremoni nuk do të jetë i pranishëm kreu i Komitetit Mysliman Bujar Spahiu, por vetëm nga Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja, i cili do të jetë kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.
“Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë. Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdogan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë. Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej
Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta. Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve. Falënderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar! Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024”, thuhet në njoftim.
Reagimi i avokatit
Ndërkohë për gazetën kavokati Kastriot Frashëri e quan Xhaminë e Namazgjasë një armë në dorë të Turqisë. “Një popull mbahet nga gjuha dhe besimi. Por pushteti përdori gjithçka, edhe gjykatat, për ta realizuar këtë armë në dorë të Turqisë. Madje, ndonjë gjyqtar për këtë meritat u emërua më pas anëtar i Gjykatës së Lartë. Ne, si njerëz të përpjekur të këtij vendi, e bëmë detyrën kombëtare, dhe për këtë jo vetëm jemi krenarë, por që parashikuam saktë tentativat e falangave turke për të shtënë në dorë komunitetet fetare. Sot, një dekadë më vonë, kjo u provua. Turp për këtë akt, në jetë të jetëve, të gjithë faqezinjve të qeverisë! Turp t’i ketë Sali Berishës, faqezin! Turp t’i ketë dy herë Edi Ramës, faqezin, që nuk ndalet nga marrëzitë dhe eksperimentet e tij sociale me këtë popull të mjere! Turpi dhe mallkimi i gjithë atdhetarëve shqiptarë i mbulofshin të gjithë shërbëtorët dhe bashkëpunëtorët e tyre!
