Hysaj përplaset me trajnerin Baroni, pritet të largohet nga Lacio brenda gushtit

Data

Lacio e nisi me fitore sezonin e ri në kampionatin italian, por në gjirin e klubit është hapur një përplasje e madhe midis trajnerit dhe mbrojtësit të Shqipërisë Elseid Hysaj, përplasje që mund t’i kushtojë shtrenjtë futbollistit kuqezi, pasi mediat italiane që dje shkruajnë se Hysaj do të përfundojë në merkato dhe mund të hasë vështirësi për të gjetur skuadër të re. Kështu, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, u la në stol në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Venecias. Kjo gjë duket se ka sjellë një përplasje të tij me trajnerin e ri të bardhekaltërve, Marko Baroni në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit. Sipas mediave italiane, kjo gjë pritet t’i kushtojë shtrenjtë Hysajt, i cili tashmë pritet të lihet jashtë listës për lojtarët që do të grumbullohen në Europa League. Nga ana tjetër, drejtori sportiv, Fabiani, është shprehur se lojtarët që i sjellin shqetësime skuadrës, nuk kanë pjesë në të, duke i dhënë një mesazh Hysajt se zgjidhja e vetme për të është të shitet përpara përfundimit të merkatos. Mbrojtësi i Kombëtares tonë prej kohësh nuk ishte pjesë e planeve të Baronit, teksa tashmë duket se vendimi përfundimtar për të është marrë. Nëse nuk largohet këtë verë, atëherë do t’i duhet ta ndjekë Lacion nga tribuna deri në janar, nëse nuk arrin t’i rregullojë sa më shpejtë marrëdhëniet me teknikun italian.

Kombëtarja

Presioni i madh që ka Hysaj mund të ndikojë në performancën e tij dhe në vetë rolin që ai ka si në skuadrën e Lacios, ashtu dhe në përfaqësuesen e Shqipërisë. Hysaj ka humbur rolin e liderit në Kombëtare. Këtë rol e ka marrë prej më shumë se një viti Berat Gjimshiti, i cili ishte kapiten në fazën eliminatore të Europianit, ashtu dhe në fazën finale ku Shqipëria ishte e kualifikuar. Pra kapiten i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë në futboll në këtë moment është Berat Gjimshiti. Madje ai është i padiskutuar në këtë drejtim, pasi e kanë zgjedhur lojtarët, stafi e të gjithë. Edhe publiku është me Gjimshitin, ndaj këto kohë nuk ka pasur debate rreth shiritit të kapitenit. Për Hysajn së pari duhet gjetur një skuadër ku të mund të aktivizohet, e më pas të mendojë për përfaqësuesen. Përplasja që pati me trajnerin Baroni mund të ndikojë në pozitat e tij në skuadër, ndaj dhe mediat italiane shprehen se ai mund të largohet pa mbyllur merkato e verës, në të kundërt, nëse nuk do të ketë ndonjë dashamirësi të klubit, do të përfundojë në tribuna, që është më keq sesa të rrijë në stol.

Kuqezinjtë në Itali

Në kampionatin elitar italian të futbollit luan një kontigjenti rëndësishëm i futbollistëve kuqezi. duke nisur me portierin Berisha, më pas me mbrojtësit Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla, Hysaj, mesfushorët Ramadani, Bajrami e Asllani, si dhe sulmuesit vëllezër Shpendi. Ky është një kontigjent i rëndësishëm, por ka dhe të tjerë. Pra bërthama e përfaqësueses tonë të futbollit luan në Itali dhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo, mëse një herë, e ka shprehur se nga ky kontigjent varet shumë performanca e skuadrës dhe rezultatet e saj në duelet ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related