“E verbëruar nga paratë e korrupsionit” – Gazetari shpërthen: Mbrojtja e Ballukut nuk legjitimohet, dyshime për përgjime dhe shantazh ndaj Ramës

Data

Gazetari Almer Toska, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe hetimore lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur dyshime të forta për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama dhe përplasjet brenda mazhorancës.

Sipas Toskës, Balluku ka pasur një rol kyç në vendimmarrjet qeveritare, duke firmosur një pjesë të madhe të vendimeve në emër të kryeministrit dhe duke marrë mbi vete riskun politik dhe ligjor të tyre.

“Pyeteni Ramën kur ka firmosur për herë të fundit një vendim qeverie. Shumicën e vendimeve i ka firmosur Belinda Balluku. Rama e ka zgjedhur atë si njeriun që firmoste në emër të tij dhe merrte mbi vete riskun e vendimmarrjeve që lidhen me përfitime financiare. Ky rol ka pasur një çmim dhe ky çmim po del sot”, u shpreh Toska.

Gazetari ngriti gjithashtu pretendime për presion dhe shantazh të mundshëm të ushtruar ndaj kryeministrit, përmes komunikimeve që Balluku dyshohet se zotëron me Ramën dhe persona të afërt me të.

Në analizën e tij, Toska foli edhe për dyshime serioze mbi kontraktimin e kompanive që disponojnë pajisje përgjimi, përfshirë IMSI Catcher, duke theksuar se këto dyshime kanë ngritur shqetësime edhe tek partnerët ndërkombëtarë.

“Ka indicie që janë përdorur pajisje përgjimi dhe kjo ka alarmuar ndërkombëtarët, të cilët janë të informuar edhe për pretendime mbi lidhje të mundshme me krimin e organizuar”, deklaroi gazetari.

Ai theksoi se mbrojtja politike e Belinda Ballukut nuk mund të legjitimohet, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur situatën si një çështje procedurale apo politike.

“Nuk është rastësi që sot kanë rënë dy grupe rivale brenda Partisë Socialiste. Balluku dhe kundërshtarët e saj politikë ranë në të njëjtën ditë. Ajo që ishte e qetë në publik, sot rezulton e verbëruar nga paratë e korrupsionit”, tha Toska.

Gazetari shtoi se përfitimet financiare që lidhen me akuzat ndaj Ballukut janë, sipas pretendimeve të tij, në shifra shumë të larta, ndërsa theksoi se deklaratat e bëra prej tij janë analizë dhe pretendime personale, të cilat nuk janë ende të konfirmuara nga organet e drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related