Shqipëria duket se është përballë një skeme grabitjeje të pashembullt, ku pronat shtetërore po tjetërsohen me firmën e një grushti njerëzish të besuar të kryeministrit Edi Rama. Në krye të këtij operacioni të errët është Elira Kokona, e emëruar në krye të Korporatës së Investimeve Shqiptare, një ent misterioz i krijuar për të menaxhuar e më pas privatizuar pasuritë publike. Ky është plani mafioz që do të shndërrojë çdo cep të vendit në pronë private të një grushti njerëzish, ndërsa qytetarët e zakonshëm shikojnë të pafuqishëm sesi pasuria e tyre kombëtare zhduket nga duart.
Me një vendim qeverie të errët, qindra hektarë tokë, ndërtesa publike dhe prona strategjike po kalojnë në kontrollin e plotë të kësaj korporate, pa asnjë transparencë dhe jashtë çdo norme ligjore. Biblioteka Kombëtare, rezidencat qeveritare në Vlorë, stadiumi “Dinamo”, Pallati i Kongreseve dhe shumë prona të tjera janë futur në këtë skemë, ku Rama dhe njerëzit e tij vendosin fatin e tyre sipas interesave të tyre personale dhe financiare. Ky është modeli i kapjes totale të shtetit, ku një grusht njerëzish janë bërë pronarët absolutë të gjithçkaje. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm përballen me procese të pafundme gjyqësore për të mbrojtur pronat e tyre nga zhvatja, ndërsa qeveria i shet të njëjtët prona në tavolinë klaneve të saj oligarkike.
Alarm i madh për gjithë pronarët dhe për çdo shqiptar, është dhënë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili thekson se me këtë skemë, sipas tij, asnjë pronë nuk është më e sigurt. Por kush do ta ndalë këtë mega-aferë? A do të ndërhyjnë institucionet, apo edhe ato janë bërë pjesë e kësaj loje të rrezikshme? Përgjigjet për këto pyetje mbeten të merren në ditët në vijim, ndërkohë që Shqipëria rrezikon të mbetet një vend pa pronarë, ku gjithçka i përket vetëm një grushti njerëzish që vendosin mbi gjithçka, pa asnjë kufizim ligjor apo etik.
