Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga foltorja në Kamëz se ka pasur presione të forta ndaj opozitës për të mos përdorur termin “narkoshtet” për qeverinë e Edi Ramës. Sipas tij, ky presion ka ardhur jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga lobistë të lidhur me kryeministrin.
Berisha tha se realiteti ekonomik dhe politik e justifikon plotësisht këtë term, duke theksuar se paratë e drogës kanë deformuar tregun, kanë rrëzuar euron dhe po përdoren për ndërtimin e kullave në Tiranë. Ai shtoi se narkoeurot po shndërrohen në pasuri të paluajtshme, ndërsa të rinjtë shqiptarë nuk kanë më mundësi të blejnë banesa për shkak të çmimeve të larta.
Sipas Berishës, kullat blihen nga persona të përfshirë në trafikun e drogës, të cilët investojnë paratë kriminale në ndërtim, duke mbajtur artificialisht të larta çmimet e tregut. Kjo situatë, tha ai, ka shkatërruar ekonominë reale dhe eksportet, duke goditur drejtpërdrejt qytetarët e ndershëm.
Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet nga denoncimi i asaj që ai e cilëson si një qeveri pa legjitimitet, e mbështetur nga krimi dhe paratë e paligjshme, dhe se beteja politike kundër këtij realiteti do të vazhdojë pa ndalim.
