Elda Hoti: Milot-Balldreni, rruga e florinjtë e korrupsionit, shqiptarët po paguajnë faturën e dështimeve të Ramës

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka akuzuar qeverinë se projekti i aksit Milot-Balldren është kthyer në simbol të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.

Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Hoti tha se pas më shumë se një dekade premtimesh, qytetarët ende nuk kanë një rrugë të përfunduar, ndërsa sipas saj janë prodhuar vetëm tendera të dështuar dhe kontrata të kontestuara.

Sipas deputetes demokrate, projekti prej 17.2 kilometrash parashikohet të kushtojë rreth 364.7 milionë euro pa TVSH, duke e renditur ndër akset më të kushtueshme në Europë. Ajo theksoi se raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar problematika serioze në klasifikimin teknik të projektit, çka sipas saj ka ndikuar drejtpërdrejt në fryrjen e kostove.

Hoti kujtoi se projekti fillestar parashikonte ndërtimin e një by-passi prej rreth 4 kilometrash për qytetin e Lezhës me një kosto shumë më të ulët, por sipas saj ai u zëvendësua nga një skemë koncesionare afatgjatë që rëndon mbi financat publike.

Deputetja e PD-së ngriti shqetësimin edhe për pasojat që zvarritja e projektit ka sjellë për qytetarët dhe sektorin e turizmit në veri të vendit. Sipas saj, çdo sezon veror shoqërohet me trafik të rënduar dhe pritje të gjata në aksin që lidh Tiranën me zonat turistike të Shëngjinit, Velipojës dhe Tales.

Në përfundim, Hoti deklaroi se shqiptarët meritojnë infrastrukturë moderne dhe investime transparente, duke akuzuar qeverinë se po favorizon interesa të caktuara në kurriz të taksapaguesve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related