Kliti Hoti: Shëndetësia në kolaps, pacientët po paguajnë çmimin e propagandës së qeverisë

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka denoncuar atë që e cilësoi si gjendje alarmante të sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se pas 13 vitesh në pushtet ka dështuar të garantojë shërbime bazë për qytetarët.

Në një deklaratë për mediat, Hoti tha se shkarkimi i drejtueses së QSUT-së nuk zgjidh problemet reale të shëndetësisë, por përfaqëson vetëm përpjekjen e radhës për të gjetur fajtorë dhe për të shmangur përgjegjësitë politike.

Sipas deputetit demokrat, një nga situatat më shqetësuese mbetet ajo në Spitalin Onkologjik, ku akseleratori i radioterapisë, pajisje jetike për trajtimin e pacientëve me kancer, ndodhet jashtë funksionit. Ai theksoi se çdo vonesë në trajtim mund të ketë pasoja të rënda për jetën e pacientëve.

Hoti ngriti gjithashtu shqetësimin për analizat laboratorike në sistemin publik, duke deklaruar se pas datës 20 të çdo muaji shumë qytetarë detyrohen t’i drejtohen laboratorëve privatë për shkak të kufizimeve të kontratave koncesionare. Sipas tij, kjo situatë bie ndesh me premtimin për shëndetësi falas dhe rëndon financiarisht familjet shqiptare.

Një tjetër problem i evidentuar prej tij ishte mungesa e funksionalitetit të sallave të koronarografisë dhe mungesa e stenteve në QSUT, çka sipas Hotit rrezikon jetën e pacientëve me probleme të rënda kardiake.

Deputeti demokrat u ndal edhe te situata e pacientëve me Leuçemi Mieloide Kronike, duke deklaruar se dhjetëra pacientë kanë mbetur pa trajtimin e linjës së parë dhe detyrohen të paguajnë deri në 900 euro në muaj për alternativa të tjera mjekimi.

Në përfundim, Hoti akuzoi qeverinë se ka investuar më shumë në propagandë dhe koncesione sesa në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa theksoi se përgjegjësia për gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor është politike dhe kërkon transparencë, llogaridhënie dhe ndërhyrje të menjëhershme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related