Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një tryezë rajonale në Strugë, kushtuar sfidave të sigurisë klimatike dhe mbrojtjes së mjedisit.
Në aktivitet morën pjesë deputetë, përfaqësues të qeverive, autoriteteve vendore dhe ekspertë të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me fokus tek rreziqet mjedisore të përbashkëta dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në sigurinë rajonale.
Ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, theksoi rëndësinë e qeverisjes së mirë dhe bashkëpunimit ndërkufitar për përballimin e këtyre sfidave.
“Reagimet efikase ndaj rreziqeve klimatike e kanë pikënisjen te një qeverisje e shëndoshë e brendshme dhe forcohen përmes bashkëpunimit aktiv ndërkufitar”, u shpreh ai.
Sipas njoftimit zyrtar, diskutimet u përqendruan në çështje si degradimi i pyjeve, prerjet e paligjshme, mbrojtja e biodiversitetit dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Pjesëmarrësit vlerësuan nevojën për koordinim më të madh mes institucioneve dhe vendeve të rajonit, në mënyrë që të ndërtohen mekanizma më efikasë për parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike.
