Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta ka shkaktuar probleme serioze në rrjetin elektrik në zonat malore të bashkive Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas.
Sipas të dhënave zyrtare, janë konstatuar dëmtime në rrjetin shpërndarës dhe në shtyllat e tensionit të ulët, çka ka sjellë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike. Aktualisht, rreth 700 abonentë në Rajonin Elbasan vijojnë të jenë pa energji, ndërsa disa linja janë rikthyer pjesërisht në funksion.
Situata paraqitet si më poshtë:
- Fideri 6, Nënstacioni Librazhd: pjesërisht në punë në zonat Borovë, Stërblevë dhe Zabzun
- Fideri 4, Polis – Nënstacioni Librazhd: pjesërisht në punë në zonat Vilan, Sopot dhe Qafë Dardhë
- Fideri 3, Nënstacioni Gramsh: pjesërisht në punë në zonat Komuna Tunjë, Kushovë dhe Pishaj
Grupet e punës së OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë pa ndërprerje, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, për të rikthyer sa më shpejt furnizimin normal me energji elektrike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe kujdes, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme deri në normalizimin e plotë të shërbimit.
