Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK dhe për të cilën Prokuroria ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestim, është shfaqur mesditën e kësaj të enjteje në zonën e Novoselës dhe Urën e Mifolit, duke folur publikisht për situatën e motit dhe përmbytjeve.
Balluku, mbi të cilën rëndojnë akuza për abuzime me tenderat e Unazës së Madhe dhe Tunelit të Llogarasë, doli para mediave duke dhënë parashikime për kushtet atmosferike dhe duke u shfaqur në terren, në një moment kur mungesa e saj në seanca institucionale ka qenë e dukshme. Ajo nuk ishte e pranishme as në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, e thirrur pas kërkesës së SPAK.
Edhe pse akuzat e Prokurorisë së Posaçme për abuzime me dhjetëra miliona euro kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe thirrje për largimin e saj nga detyra, zv/kryeministrja vijon të mbajë postin dhe të dalë publikisht.
Gjatë deklaratës së saj, Balluku foli për situatën energjetike dhe kushtet e motit, duke theksuar se sistemi energjetik ka funksionuar normalisht pavarësisht vështirësive. Ajo paralajmëroi për erëra të forta në orët në vijim, veçanërisht në Ultësirën Perëndimore, si dhe për reshje bore në veri dhe juglindje të vendit, duke e cilësuar situatën si sfiduese dhe duke kërkuar kujdes maksimal nga qytetarët.
Dalja e saj publike vjen në një moment delikat përballë drejtësisë, ndërsa hetimet ndaj saj vijojnë dhe vendimi për masat e mëtejshme pritet nga institucionet përkatëse.
