Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor “Blue Punisher”, ku u arrestuan dy persona që përgatisnin dhe shpërndanin lëndë narkotike të llojit ekstazi në Tiranë.
Në pranga ranë Elvis Lezo dhe Bujar Lezo, të afërm mes tyre, të cilët prej muajsh dyshohet se ishin të përfshirë në trafikun dhe shitjen e drogës. Sipas hetimeve, ekstazia sillej nga Italia në rrugë tokësore, ndërsa përpunimi i saj bëhej në banesën e tyre në zonën e Ali Demit.
Lënda narkotike sigurohej në formë tabletash dhe pluhuri, që më pas përpunohej dhe përgatitej për treg. Droga shitej kryesisht në lokalet e natës në kryeqytet, ku një kokërr ekstazi kushtonte rreth 3 mijë lekë të reja.
Emërtimi i operacionit “Blue Punisher” lidhet me mbishkrimin që mbanin tabletat e sekuestruara. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi 2200 tableta ekstazi si dhe dy aparate celularë që përdoreshin për komunikim me klientët.
Sipas burimeve, Elvis Lezo dyshohet se kishte lidhje me një grup kriminal në Itali dhe rezulton me precedentë penalë të mëparshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
