Banorët e Rrjollit kundër resortit strategjik: Leja dyshohet me dokumente të falsifikuara

Data

Banorët e zonës Baks-Rrjoll në Velipojë kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik me status “investim strategjik”, duke pretenduar se leja e ndërtimit është siguruar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe pas heqjes së zonës nga statusi i mbrojtur mjedisor.

Dhjetëra banorë protestuan përpara Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar hetim penal dhe ndalimin e punimeve. Ata deklarojnë se toka ku po ndërtohet resorti është pronë e trashëguar prej brezash dhe se është tjetërsuar përmes pronarëve fiktivë.

“Na kanë grabitur tokën me letra false. Ne kemi dokumente që nga viti 1935, por dikush tjetër del pronar në vitin 2019 dhe merr gjithë sipërfaqen”, deklaruan banorët gjatë protestës.

Sipas tyre, negociatat me kompaninë zhvilluese nuk kanë sjellë asnjë marrëveshje dhe punimet kanë nisur pavarësisht kundërshtimeve dhe proceseve gjyqësore në vijim.

Resorti turistik “Blue Borgo” parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese me disa kate mbi tokë, në një zonë që më parë ishte pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Velipojë-Bunë. Ekspertë të territorit paralajmërojnë se projekti përbën rrezik serioz për ekosistemin, pasi zona ndodhet mes Lagunës së Vilunit dhe Ranës së Hedhun, habitat i rëndësishëm për shpendët dhe biodiversitetin.

Banorët akuzojnë se ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura janë bërë për t’i hapur rrugë investimeve strategjike, duke anashkaluar komunitetin vendas dhe parimet e mbrojtjes së mjedisit.

Ndërkohë, kompania zhvilluese i mohon akuzat dhe deklaron se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, por banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit, ku çështja pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related