Eglant Koçi dyshohet se u vra dhe u gropos, policia sekuestron “Porsche”-n e Armand Shakajt

Data

Hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi po marrin një kthesë të rëndësishme, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë vrarë dhe më pas të jetë groposur në një zonë të izoluar. Në qendër të hetimeve ndodhet Armand Shakaj, i shpallur në kërkim nga policia, i cili dyshohet se ka pasur lidhje direkte me zhdukjen e mikut të tij.

Policia e Tiranës ka sekuestruar automjetin tip “Porsche” që dyshohet se është përdorur nga Shakaj. Gjatë kontrollit të mjetit, hetuesit kanë gjetur vegla pune, përfshirë lopata me mbetje balte, një detaj që ka forcuar dyshimet se trupi i Koçit mund të jetë fshehur në terren malor ose në ndonjë zonë të pabanuar.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, deklaroi se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe se kërkimet janë përqendruar në zonat kufitare mes Tiranës dhe Elbasanit, ku dyshohet se mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit.

“Është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës dhe në kufirin ndarës mes Tiranës dhe Elbasanit. Në operacion janë përfshirë edhe forca të specializuara nga Kosova me qen kërkimi. Deri tani nuk kemi pasur një rezultat konkret, por kontrollet vijojnë intensivisht”, tha Torba.

Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime se trupi i Koçit mund të ketë qëndruar për më shumë se 24 orë në automjetin e Shakajt. Më pas, nën pretendimin se makina kishte pësuar defekt, ajo është transportuar me karrotrec drejt zonës së Ibës, ku më pas humbet çdo gjurmë për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë.

Hetuesit po verifikojnë disa pista lidhur me motivin e mundshëm të krimit. Një prej tyre lidhet me aktivitetin e kriptomonedhave dhe mosmarrëveshje financiare mes dy miqve. Po ashtu, po hetohet edhe dyshimi se Armand Shakaj merrej me dhënie parash me fajde dhe se Eglant Koçi kishte ndërmjetësuar një hua ndaj personave të tretë, e cila nuk ishte shlyer.

Në këto rrethana, grupi hetimor po verifikon nëse mosshlyerja e kësaj shume parash ka sjellë konfliktin që mund të ketë përfunduar tragjikisht.

Eglant Koçi rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor. Ai është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, teksa lëvizte me motorin e tij. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar disa nga lëvizjet e tij të fundit në kryeqytet.

Megjithëse rezultonte i punësuar në një mobileri, policia dyshon se ai mund të ketë qenë i përfshirë edhe në aktivitete të lidhura me kriptomonedhat, pistë që po hetohet paralelisht me konfliktet financiare.

Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit dhe arrestimin e Armand Shakajt vijojnë, ndërsa autoritetet shpresojnë që provat e mbledhura deri tani të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related