Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj politikave të fundit të qeverisë në sektorin e shëndetësisë, duke ngritur shqetësimin se mijëra qytetarë shqiptarë vazhdojnë të përballen me mungesën e medikamenteve jetike dhe me probleme serioze në sistemin publik shëndetësor.
Në një deklaratë për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, kritikoi vendimin për financimin e terapive hormonale për personat transgjinorë, duke argumentuar se prioritetet e shtetit duhet të fokusohen fillimisht te garantimi i ilaçeve për pacientët me sëmundje të rënda dhe përmirësimi i kushteve në spitale.
Sipas Merjës, shumë pacientë me sëmundje onkologjike dhe kronike vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin e trajtimeve të nevojshme, ndërsa familjet shqiptare përballen me mungesa të vazhdueshme të barnave dhe shërbimeve bazë shëndetësore.
“Ndërsa qeveria investon fonde publike për terapi hormonale, mijëra qytetarë shqiptarë përballen çdo ditë me mungesën e ilaçeve jetike, me spitale që nuk ofrojnë kushtet minimale dhe me një sistem që nuk arrin t’u përgjigjet nevojave më elementare të pacientëve”, deklaroi ajo.
Merja theksoi se terapitë hormonale kërkojnë monitorim të vazhdueshëm mjekësor për shkak të efekteve anësore dhe komplikacioneve të mundshme shëndetësore. Sipas saj, literatura mjekësore ndërkombëtare evidenton rreziqe të ndryshme që lidhen me trajtime të tilla, çka e bën të domosdoshëm vlerësimin profesional dhe ndjekjen afatgjatë të pacientëve.
Në deklaratën e saj, përfaqësuesja e Partisë së Lirisë ngriti një sërë pyetjesh lidhur me gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në vend.
“A janë furnizuar spitalet me të gjitha medikamentet e nevojshme? A kanë pacientët me kancer dhe leucemi akses të garantuar në trajtimet e tyre? A kanë qytetarët kushte dinjitoze në spitalet publike? A është eliminuar korrupsioni dhe mungesa e shërbimit në sistemin shëndetësor?”, pyeti ajo.
Sipas Partisë së Lirisë, përgjigjja për të gjitha këto pyetje mbetet negative, ndërsa qeveria po neglizhon problemet më urgjente që prekin drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Merja theksoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka nevojë për prioritete të qarta, duke vendosur në plan të parë garantimin e barnave, përmirësimin e infrastrukturës spitalore dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike.
“Në një vend ku prindërit detyrohen të kërkojnë ilaçe derë më derë, ku pacientët përballen me mungesa të vazhdueshme dhe ku mjekët punojnë në kushte të vështira, qeveria ka detyrimin moral dhe institucional që fillimisht të zgjidhë problemet jetike të shumicës së qytetarëve”, u shpreh ajo.
Në përfundim të deklaratës, Partia e Lirisë kërkoi që asnjë qytetar të mos mbetet pa medikamentet e nevojshme për jetën dhe shëndetin e tij, duke akuzuar qeverinë se po injoron plagët më të mëdha të sistemit shëndetësor shqiptar.
“Një qeveri nuk gjykohet nga propaganda, por nga mënyra se si kujdeset për të sëmurët, të pambrojturit dhe ata që kanë më shumë nevojë për shtetin e tyre”, përfundoi Merja.
