Arbër Hoxha vazhdon të shkëlqejë në kampionatin kroat, duke u bërë njeriu kyç i Dinamo Zagreb edhe në sfidat më të vështira. Në derbin kundër Hajduk Split, që përfundoi 1-1, ishte pikërisht sulmuesi i Kombëtares shqiptare ai që shënoi golin e barazimit në minutat shtesë, duke i dhënë ekipit një pikë me peshë të madhe.
Hoxha, i cili po shfaq formën më të mirë të karrierës në këtë sezon, u vlerësua gjerësisht për paraqitjen e tij dhe ishte lojtari më i spikatur i ndeshjes.
Pas takimit, anësori kuqezi u drejtua tifozëve me një mesazh falënderimi:
“Faleminderit për të gjithë suportin tuaj në derbin e sotëm.”
Prej shtatorit, Hoxha është shpallur vazhdimisht lojtari i muajit te Dinamo Zagreb, ndërsa forma e tij fantastike e ka kthyer në një nga yjet më të rëndësishëm të kampionatit kroat.
Golat, asistet dhe vendosmëria e tij kanë ndikuar direkt në suksesin e Dinamos, që aktualisht kryeson renditjen dhe synon titullin kampion.
