Çdo ditë edhe më shumë shtohen akuzat se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, është i përfshirë në aferat e Xibrakës, Inceneratorët, Portin e Durrësit, Butrint, bastet, piramidat e ngritura me Call Center dhe tani edhe tek bastet. Përveç situatës së rëndë të Edi Ramës dhe alarmit që e ka mbërthyer për hetimet e aferës “McGonigal”, kryeministri ka filluar të alarmohet dhe për dosjet e të vëllait të tij që dyshohet se janë hapur nga SPAK. Shqetësimi i tij është ndjerë pas marrëveshjes PS-Rithemelim, pjesë e të cilës u arrit me kryesimin e Gazment Bardhit. Pas këtij pazari, Bardhi deklaroi së fundmi se Olsi Rama, është i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë. Bardhi u shpreh se ka një analizë të mbështetur në dokumente për këtë dhe se mund t’i nxjerrë shumë shpejt. Pas kësaj deklarate Rama nuke ka fshehur alarmin duke dhënë një përgjigje të ashpër ndaj Bardhit. “Të dhënat e tyre para se të jetë vëllai i përfshirë në një çështje droge, jam unë i përfshirë në çështjet më të mëdha të drogës, kriminalitetit, të larjes së parave në Ballkan dhe më gjerë, të dhunës në familje, të të gjitha të zezave dhe janë të dhënat e tyre të thëna dhe stërthëna pafundësisht. Këtu kur gjendesh përballë një pyetje të tillë, ka dy mënyra. Njëra është ajo që të vjen shqiptarçe, që kur shikon një fytyrë njeriu që është një fytyrë e mirënjohur për opinionin publik dhe opinioni publik është shumë i qartë për integritetin e asaj fytyre t’i kthesh përgjigjen shqiptarçe, që është vëllai i asaj që të ka bërë kokën. Por nuk është përgjigje që mund ta jap unë. Kur të ngacmojnë deri në këtë pikë dhe rikujtojnë që barra më e madhe e kësaj pune është të shikosh familjen tënde të dhunuar në mënyrë të vazhdueshme të shikosh vajzën tënde e cila është në punën e vetë, nuk përzihet kurrë me asnjë punë të shtetit, nuk ka përfituar asnjëherë nga asnjë lloj favori që mund të vijë për shkak të punës time, kur shikon vëllain tënd, djalin tënd, gruan të dhunohen, kjo është barra më e rëndë sepse është familja që paguan kosto. Është shëmbëlltyra kryesore e një shpërfytyrimi politik, moral, në të gjitha aspektet që mishëron ai grup. Në rastin konkret e njëjta fytyrë ka thënë gjëra ekstreme për djalin e atij të cilit tani ka vajtur i është ulur në prehër. Ai do nxjerri atë që s’thuhet”, tha Kryeministri Edi Rama.
Reagimi i Bardhit
Bardhi reagoi pas shigjetimeve të kryeministrit Rama ndaj tij. “E kuptoj shqetësimin se ke menduar se përmes promovimit të prokurorit të çështjes me votën tënde, do shpëtoje një të dyshuar si trafikant droge nga hetimi penal dhe dënimi, që rastis të jetë yt vëlla! Mbrojta politike dhe pandëshkueshmëria i ka këmbët e shkurtra. Deri atëherë ruaj nervat se do të duhen edhe për vete”, shprehet Bardhi në reagimin e tij. Kujtojmë se disa kohë më parë, Bardhi tha se vodhën të dhënat në sistemin TIMS për të favorizuar vëllain e kryeministrit Edi Rama. “Kërkesa e parë ka të bëjë me një skandal të ndërhyrjes në mënyrë të paligjshme në sistemin TIMS. Informacioni mbi të cilën është bazuar kërkesa, bazohet mbi një dokument zyrtar që është raporti i AMP-së. Pra, nuk bëhet fjalë për një thashethem, por një ndërhyrje të paligjshme në TIMS dhe ne duam të verifikojmë se kush ka përgjegjësi për ndërhyrjen e paligjshme dhe deir në çfarë mase është ndërhyrë në sistemin TIMS për të propozuar dhe masa ligjore që në të ardhmen, një ndërhyje e tillë mbi të dhënat e qytetarëve, të meren masa ligjore. A e di pse bllokohet kjo? Sepse nëse në të dhënat e sistemit TIMS nuk do të ishte ndërhyrë në mënyrë të paligjshme për të fshehur, ka një çështje që mbahet pezull në SPAK, ku vëllai i kryeministri shqiptar, Olsi Rama, për shkak të përkimit të të dhënave të TIMS do të duhet të jetë në burg për dosjen e “Xibrakës”. Problemi i vetëm i Edi Ramës në këtë rast është që të dhënat do të bëhen publike”. Por nuk është vetëm Bardhi, pasi edhe Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj vëllait të kryeministrit të vendit, Olsi Rama. Në vitin 2018, Basha zbuloi se zoti Olsi Rama është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikun e drogës dhe i dokumentuar nga struktura të caktuara të policisë me të dënuarit dhe të arratisurit e çështjes Xibraka. Madje asokohe Basha deklaroi se për Xibrakën, së pari duhet pyetur më parë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pasi është karta më e fortë e arritjes së një pakti mafioz Rama-Tahiri. Ai tha se kjo çështje, implikon drejtpërdrejt Olsi Ramën, i vëllai i kryeministrit të vendit, i cili është dokumentuar përmes sistemeve të policisë kriminale dhe kufitare në rrethana bashkëpunimi dhe bashkëudhëtimi me të dënuarit dhe të arratisurit kryesor të çështjes Xibraka. Ndërkohë po në vitin 2018 edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe vëllain e këtij të fundit, Olsi Rama. Asokohe ish-kryeministri ka deklaruar se Olsi Rama ka kaluar të paktën 6 herë kufirin me makinën e kokainës së Xibrakës. Sipas tij, kjo është 100% e vërtetë, ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare është organizata kriminale më e fuqishme në Evropë. “Olsi Rama ka kaluar kufirin me makinën e kokainës së Xibrakës të paktën 6 herë. Kjo është e vërtetuar 100%. Është organizata kriminale më e fuqishme në Evropë dhe në planet, sepse është pushteti. Nuk ka një qeveri, që të jetë organizatë kriminale, siç është aktualisht Rilindja në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Detaje nga dosja e “Xibrakës”
Kujtojmë se grupi i drogës “Xibraka” u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë. Në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Hetimet nisën pas informacionit të përcjellë nga autoritetet gjermane që në datën 17.12.2014, për trafik kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
