Edi Rama prezantoi një sistem të ri digjital me inteligjencë artificiale për prokurimet publike, duke deklaruar se projekti do të transformojë mënyrën e zhvillimit të tenderave në Shqipëri.
Gjatë konferencës për Kapitullin 5 të negociatave me Bashkimi Evropian, Rama tha se sistemi i ri synon të automatizojë pjesë të rëndësishme të procesit, duke reduktuar ndërhyrjen njerëzore dhe duke rritur transparencën.
Sipas kryeministrit, bizneset nuk do të kenë më nevojë të mbledhin dokumente fizike apo të përballen me procedura burokratike, pasi të dhënat do të merren automatikisht nga sistemi.
“Do të bëjë të mundur që asnjë biznes të mos detyrohet më të mbledhë letra. Asnjë nëpunës nuk do të ketë më në dorë të luajë me letrat e biznesit”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se mbi 40 regjistra publikë janë tashmë të digjitalizuar dhe do të integrohen në platformën e re, duke lejuar aktivizimin e dokumenteve me një klikim.
Kryeministri tha se projekti është unik dhe se specifikimet teknike prej 450 faqesh janë certifikuar nga Banka Botërore, e cila ka dhënë miratimin për vijimin e zbatimit të sistemit.
Në deklaratën e tij, Rama iu referua edhe platformës “Diella”, duke ironizuar kritikat ndaj qeverisë.
“Mund të jetë krijuar opinioni sikur Diella fle, por jo. Diella nuk fle”, u shpreh ai.
