Njoftimet se miliarderi Elon Musk ka biseduar në mënyrë të vazhdueshme me Presidentin rus Vladimir Putin po bëjnë ende jehonë ndër zyrtarët dhe ish-zyrtarët amerikanë, gati pothuajse një javë pasi u bë i ditur fillimisht lajmi për këto biseda.
Zoti Musk, i cili zotëron kompaninë e prodhimit të makinave elektrike Tesla dhe platformën e mediave sociale X, zotëron gjithashtu kompaninë komerciale të fluturimeve hapësinore SpaceX, që ka kontrata të shumta me qeverinë amerikane, me projekte për Departamentin e Mbrojtjes dhe agjencinë amerikane të hapësirës NASA.
Një pjesë e kësaj pune është aq konfidenciale saqë Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë zotit Musk çertifikatë sigurie të nivelit të lartë për shkak të njohurive të tij për programet, duke ngritur shqetësime mes disave se informacionet dhe aftësitë tepër sekrete të Shteteve të Bashkuara mund të jenë në rrezik.
Dhe sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe rusë që folën për gazetën The Wall Street Journal, shqetësime të tilla mund të jenë të justifikuara.
Gjatë njërës prej bisedave, thanë zyrtarët, Presidenti rus Putin dyshohet se i kërkoi zotit Musk të mos aktivizonte mbi Tajvanin, si një favor për Kinën, shërbimin Starlink, një filial i kompanisë SpaceX që ofron lidhje satelitore interneti.
“Unë mendoj se kjo duhet të hetohet”, tha administratori i NASA-s Bill Nelson në Samitin Botëror të Ekonomisë ‘Semafor’ të premten e kaluar, një ditë pasi gazeta publikoi artikullin e saj.
“Nuk e di nëse kjo histori është e vërtetë”, tha zoti Nelson, duke shtuar, se nëse është, “mendoj se kjo do të ishte shqetësuese, veçanërisht për NASA-n, për Departamentin e Mbrojtjes, për disa nga agjencitë e zbulimit”.
Rusia dhe zoti Musk mohojnë të ketë patur telefonata të shpeshta
Zoti Musk ka mohuar më parë të ketë patur telefonata të shpeshta me Presidentin rus Putin. Në vitin 2022, zoti Musk tha se kishte folur me udhëheqësin rus vetëm një herë, por gazeta The Wall Street Journal tha se ka patur biseda të përsëritura që atëherë.
Zoti Musk nuk ka komentuar dhe nuk i është përgjigjur në rrjetin X artikullit të gazetës. Rusia gjithashtu ka mohuar se ka patur biseda të shpeshta mes Presidentit Putin dhe zotit Musk.
Dhe Pentagoni deri më tani ka refuzuar të përgënjeshtrojë apo të konfirmojë akuzat.
“E kemi parë raportimin nga The Wall Street Journal, por nuk mund të konfirmojmë vërtetësinë e këtyre njoftimeve”, i tha Zërit të Amerikës zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Sue Gough në një email të premten vonë.
“[Ne] do t’ju drejtonim tek zoti Musk për të folur për komunikimet e tij private”, tha zonja Gough, duke shtuar se me ligj departamenti nuk komenton detajet ose statusin e çertifikatës së sigurisë të asnjë personi.
“Ne presim që të gjithë ata që kanë marrë një çertifikatë sigurie, përfshirë kontraktorët, të ndjekin procedurat e përcaktuara për raportimin e kontakteve me të huajt”, tha ajo.
