Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë.
Meta kishte kërkuar përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani, zëvendësimin e masës aktuale me një masë më të lehtë sigurimi.
“Për ne do të ishte i arsyeshëm detyrim paraqitje dhe ndalim daljes jashtë shteti, ose garanci pasurore. Edhe arresti në shtëpi do të ishte i mjaftueshëm”, deklaroi avokati mbrojtës gjatë seancës.
Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes, gjykata vendosi të lërë në fuqi masën ekzistuese të sigurisë ndaj ish-presidentit.
Ndërkohë, GJKKO ka kaluar për gjykim edhe dosjen ndaj Metës dhe Monika Kryemadhi, ku përfshihen episode të dyshuara korrupsioni dhe pastrimi parash.
