Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë në Gjirokastër, ku foli për teknologjinë, inovacionin dhe mbështetjen që qeveria synon të japë për startup-et dhe nxënësit e apasionuar pas teknologjisë.
Gjatë takimit, Rama deklaroi se qeveria do të rrisë financimin për programet e startup-eve dhe paralelisht do të zgjerojë laboratorët smart në shkolla, me qëllim që të rinjtë të kenë akses më të hershëm në teknologji dhe inovacion.
Sipas kreut të qeverisë, mbështetja nuk do të kufizohet vetëm tek sipërmarrjet e reja, por edhe tek nxënësit dhe studentët që kanë ide apo projekte inovative gjatë kohës që janë ende në shkollë apo universitet.
“Më vjen shumë mirë që edhe këtu në Bashkinë e Gjirokastrës ka pasur zhvillime pozitive për sa i përket qasjes së të rinjve te inovacioni”, tha Rama, duke përmendur suksesin e dy shkollave të qytetit në Festivalin Kombëtar të Inovacionit të organizuar nga Ministria e Arsimit.
Ai theksoi se fusha e teknologjisë ndryshon me ritme shumë të shpejta dhe se institucionet duhet të ecin paralelisht me këto zhvillime përmes investimeve dhe mbështetjes financiare.
Rama solli si shembull programin kombëtar të startup-eve, i cili sipas tij nisi me vetëm 40 aplikime dhe sot ka kaluar mbi 1500 aplikime.
“Kjo natyrisht na ka vënë në pozitën që të ndërhyjmë përsëri për të rritur financimin”, u shpreh ai.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria po shqyrton mundësinë që në festivalet e ardhshme të inovacionit të financohen edhe prototipat e krijuar nga nxënësit dhe studentët, me synimin që idetë e tyre të zhvillohen më tej në produkte konkrete për tregun.
Sipas Ramës, teknologjia ka sjellë një transformim të madh në mënyrën se si krijohet vlera dhe për këtë arsye investimi tek të rinjtë dhe inovacioni mbetet prioritet për qeverinë.
