Çmimet e qumështit, patateve, gjalpit po rriten në Rusi. Shitësit me pakicë po rrisin sigurinë për të parandaluar vjedhjet. Normat e hipotekave janë rritur, teksa shitjet e banesave të reja po bien.
Më shumë se 1.000 ditë që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje, Rusia ka transformuar ekonominë e saj, duke e riorganizuar atë për të fuqizuar përpjekjet e luftës dhe për t’u përballur me sanksionet perëndimore.
Shpenzimet qeveritare në gjëra sikurse prodhimi i tankeve, raketave dhe uniformave ushtarake kanë nxitur rritjen në mbarë vendin. Pagat jashtëzakonisht të larta për ushtarët vullnetarë – dhe shpërblime dhe përfitime në vlera monetare për të vejat – kanë dërguar fluks të madh parash në rajonet më të varfra.
Në anën tjetër, inflacioni po rritet. Banka Qendrore ruse ka luftuar që ta zbusë inflacionin, duke rritur normën bazë të interesit në 21 për qind në tetor – niveli më i lartë për më shumë se 20 vjet.
Sipas ekspertëve, zilja e alarmit është ndezur. Ekziston frika për një valë në rritje të falimentimeve të korporatave pasi kompanitë rrisin pagat, duke luftuar për të tërhequr punëtorët nga fuqia punëtore në tkurrje. Ndërkohë, normat e hipotekave, të nxitura nga Banka Qendrore, po i trembin qytetarët të blejnë prona në shumë rajone ruse.
“Tregu ka vdekur”, tha për Current Time një agjent i patundshmërisë, i cili kërkoi të mbeste anonim nga frika e hakmarrjes nga autoritetet. “Tregu aktualisht është i ngrirë, asgjë nuk po ndodh”.
Rritja ekonomike “padyshim është duke u ngadalësuar,” tha Laura Solanko, këshilltare e lartë në Institutin për Ekonomitë në Tranzicion të Bankës së Finlandës.
“Ekonomia është e tejnxehur, dhe norma e rritjes duhet të ngadalësohet”, tha ajo. “Por, rritja shumë e ngadaltë – ose aspak rritje – nuk tregon që ekonomia është buzë kolapsit. Ajo nënkupton investime më të ngadalshme dhe ulje të disa shpenzimeve publike në muajt e ardhshëm”.
