Gazetari dhe analisti kosovar Berat Buzhala ka komentuar zhvillimet e fundit në Democratic Party of Albania, duke u ndalur te gara për kreun e partisë, ku kandidon i vetëm Sali Berisha.
Në analizën e tij, Buzhala ironizoi rikandidimin e Berishës për drejtimin e PD-së, duke e krahasuar situatën me fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri në vitet ’90.
Sipas tij, është paradoksale që Berisha vijon të konsiderohet ende figura kryesore opozitare pas më shumë se tre dekadash në politikë.
“Është qesharake që të mendohet se është aktivisht në politikë”, u shpreh analisti, duke theksuar se Berisha mbetet faktori kryesor që, sipas tij, i jep avantazh politik kryeministrit Edi Rama.
Buzhala deklaroi se mungesa e një alternative të re dhe bindëse në opozitë ka ndikuar në qëndrimin e gjatë të socialistëve në pushtet.
“Nëse ka një njeri që e mban në pushtet Edi Ramën, ai është Sali Berisha”, tha ai.
Analisti ironizoi gjithashtu argumentet e një pjese të mbështetësve të opozitës, sipas të cilëve çdo kritikë ndaj Berishës interpretohet si mbështetje për qeverinë.
Në komentin e tij, Buzhala u ndal edhe te narrativa e opozitës mbi proceset zgjedhore në Shqipëri, duke ngritur pyetjen se pse opozita vijon të marrë pjesë në zgjedhje nëse pretendon se “nuk ka zgjedhje, por vetëm votime”.
Ai preku edhe zhvillimet në drejtësi dhe veprimet e SPAK ndaj figurave politike të të dy kampeve politike, duke përmendur hetimet ndaj ish-zyrtarëve socialistë dhe çështjet që lidhen me drejtues të opozitës.
Sipas Buzhalës, pretendimet për drejtësi plotësisht të kontrolluar politikisht bien ndesh me faktin që hetimet kanë përfshirë emra të rëndësishëm si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.
Në përfundim, ai e cilësoi situatën politike në opozitë si paradoksale dhe ironizoi pritshmëritë e një pjese të mbështetësve të Berishës ndaj institucioneve të drejtësisë dhe procesit politik në Shqipëri.
