Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ministrat dhe drejtues të institucioneve në varësi të Ministrisë së Brendshme, ku në fokus kanë qenë disa çështje kyçe të administrimit të territorit.
Sipas burimeve, në mbledhje është diskutuar procesi i adresave, i cili konsiderohet i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve publike dhe identifikimin e saktë të pronave dhe banesave në vend.
Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë hartimi i ligjit të ri për IKMT, me synimin për të rritur efektivitetin në kontrollin e territorit dhe luftën kundër ndërtimeve pa leje.
Po ashtu, në takim është diskutuar edhe një qasje e re për rolin e prefektëve, të cilët pritet të kenë më shumë përgjegjësi dhe kompetenca në nivel lokal, duke forcuar prezencën e shtetit në territor.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, i shoqëruar nga zv.ministrat dhe drejtues të agjencive në varësi të tij.
