Gjykata e Posaçme ka vendosur të rrëzojë kërkesën e familjarëve dhe avokatëve të Ervis Martinaj për heqjen e masës së sekuestros mbi pasuritë e tij.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erion Bani, i cili argumentoi se kërkesa ishte e pabazuar në ligj dhe në prova. Sipas gjykatës, prokuroria ka vepruar brenda afateve ligjore, duke kërkuar konfiskimin e pasurive në kohë dhe duke siguruar zgjatjen e sekuestros deri në dhjetor 2025.
Në këto kushte, gjykata vlerësoi se nuk plotësohen kriteret për shuarjen e masës së sigurisë dhe vendosi që pasuritë të mbeten të bllokuara.
Në vitin 2023, me vendim të gjykatës, Ervis Martinaj dhe personave të lidhur me të iu sekuestruan dhjetëra pasuri, përfshirë kompani, aksione, automjete dhe prona të paluajtshme në disa zona të vendit.
Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihen aksione në kompani si “King Casino”, “Alba Telecommunication” dhe subjekte të tjera, si dhe toka, apartamente dhe automjete luksoze në emër të familjarëve të tij.
Në vijim të procesit, pritet që me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të thirren si dëshmitarë disa persona që rezultojnë të lidhur me këto pasuri, mes tyre edhe familjarë të afërt.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022, ndërsa hetimet mbi aktivitetin dhe pasuritë e tij vijojnë ende.
