Temperaturat e ulëta kanë sjellë formimin e akullit në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, kryesisht në zonën e Dragostunjës, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm për automjetet.
Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të jenë të pajisur me zinxhirë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, pasi rruga paraqet rrezik për rrëshqitje.
Shërbimet e policisë ndodhen në terren për të monitoruar situatën, për të menaxhuar trafikun dhe për t’u ardhur në ndihmë mjeteve që mund të hasin vështirësi për shkak të akullit.
Aktualisht, qarkullimi zhvillohet me lëvizje të ngadaltë në të dy drejtimet, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e policisë.
