E pezulluar nga detyra dhe me pasaportë të sekuestruar, Belinda Balluku ankimon masat e sigurisë në Apelin e GJKKO-së

Data

Belinda Balluku, ish-zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ankimuar në Apelin e Gjykatës së Posaçme vendimin e GJKKO-së që e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke i ndaluar daljen jashtë vendit. Balluku është shpallur e pandehur në hetimin e SPAK për dy prej procedurave më të mëdha të prokurimit publik: ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Vendimi i shkallës së parë, i marrë më 19 nëntor 2025, e detyron ish-ministren të ndërpresë çdo funksion publik deri në përfundim të procesit, ndërsa i kufizon lirinë e lëvizjes përmes aplikimit të masës “ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Balluku ka kundërshtuar këto masa, duke kërkuar ndryshimin ose shfuqizimin e tyre.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë ankimimin e paraqitur nga qeveria për pezullimin e saj nga funksionet ekzekutive, duke e kthyer çështjen në një nga përplasjet më të ndjeshme institucionale të muajve të fundit.

SPAK ka njoftuar se hetimet kanë evidentuar dyshime serioze për shkelje gjatë procedurave të prokurimit, ku sipas Prokurorisë së Posaçme, janë konstatuar favorizime të operatorëve ekonomikë dhe paracaktim të fituesve, në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike dhe rregullat për konfliktin e interesit.

Hetimet përfshijnë edhe disa zyrtarë të tjerë të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar për orientimin e procedurave të tenderimit.

Më 20 nëntor, u ekzekutuan masat e sigurisë ndaj të pandehurve të tjerë në dosje, përfshirë arrest shtëpie për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin.

Çështja ndaj Ballukut pritet të vijojë në dy fronte paralelisht: në Apelin e GJKKO-së për masat e sigurisë dhe në Gjykatën Kushtetuese për vlefshmërinë e pezullimit nga detyra. Vendimet e këtyre gjykatave do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vijimësinë politike dhe procedurale të ish-ministres.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related