Do ndërtohet fabrika e municioneve të KAYO-s, banorët e Kodër-Babrrusë në protestë: Na prishen shtëpitë! Akuzojnë qeverinë, Ardi Veliun dhe Ballukun

Data

  1. Banorët e zonës së Kodër-Babrrusë në Tiranë kanë dalë sot në një protestë të fortë kundër ndërtimit të fabrikës së municioneve nga kompania KAYO, një projekt që sipas tyre do të sjellë shkatërrimin e banesave të tyre dhe zhvendosjen e detyruar të komunitetit. Banorët thonë se vendimi është i paligjshëm, i papritur dhe po zbatohet me forcë, ndërsa procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.

Protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë dhe do të përshkallëzojnë reagimin e tyre nëse autoritetet nuk ndërhyjnë për të pezulluar projektin deri në shprehjen e gjykatës. Ata akuzojnë qeverinë, drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe zv/kryeministren Belinda Balluku – e cila aktualisht është nën hetim dhe e pandehur në çështjen e tenderave – se kanë lejuar dhe firmosur projektin në mënyrë të padrejtë.

“Jemi pronarë legjitimë të kësaj pasurie. Ku do shkojmë ne? Po na dëbojnë. Po na zaptojnë tokat! Si mund të ngresh fabrikë municionesh mes shtëpive tona?” – shprehet një prej banorëve. Ai tregon se komuniteti ka bërë ankesa, kërkesa zyrtare dhe denoncime, por askush nuk i ka dëgjuar.

Banorët thonë se institucione të ndryshme, përfshirë edhe njësitë e kadastrës, u kanë komunikuar se pronat e tyre do të kalojnë nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke i hapur rrugë transferimit te kompania KAYO. “Kjo është vjedhje e pastër. Po shkatërrojnë një komunitet të tërë, vetëm se kanë pushtetin në dorë. Na morën pronat në kohën e Enver Hoxhës, tani na i marrin përsëri!” – vijon banori.

Një tjetër protestues thekson se vendimi nuk do të pranohet dhe se komuniteti është i vendosur të luftojë:

“Nuk dorëzohemi. Do përshkallëzojmë protestat. Ne jetojmë këtu, nuk mund të sakrifikohet një komunitet i tërë për një fabrikë municionesh.”

Banorët akuzojnë drejtpërdrejt edhe zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila sipas tyre ka firmosur me delegim dokumentet që i japin pronën kompanisë KAYO. Ata ngrenë pyetje se si një funksionar nën hetim mund të marrë vendime të tilla, ndërkohë që vetë Balluku është e pandehur në çështjet e prokurimeve publike.

“Me delegim të Ballukut, na erdhi shkresa nga Ministria e Mbrojtjes. Si ka mundësi që ajo, e pandehur, firmos për fatin e pronave tona?” – shprehet një nga banorët, i cili thotë se edhe denoncimet ndaj kompanisë nuk janë marrë nga policia me pretendimin se ankesa është bërë më parë.

Në fund, banorët bëjnë apel për ndalimin e projektit deri në vendimin e gjykatës:

“Lëreni drejtësinë të flasë. Ne i kemi bërë me sakrifica këto shtëpi, me kursimet e fëmijëve emigrantë. Nuk pranojmë që të shkatërrohen për interesa të dikujt tjetër. Ky është vetëm fillimi.”

Protesta pritet të vijojë ditët në vijim, ndërsa banorët deklarojnë se do t’i drejtohen çdo institucioni deri sa vendimi të rishikohet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related