Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është rikthyer sërish mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, vetëm pak orë pas përplasjeve të forta me efektivët e Policisë së Shtetit. Pavarësisht tensioneve, heqjes së çadrave dhe ndërhyrjes së forcave blu, Lapaj ka vendosur të mos tërhiqet dhe të vijojë qëndresën, e cila ka hyrë në ditën e 28-të.
Edhe pse policia i largoi çadrën e ngritur para godinës së qeverisë, Lapaj ka vendosur një tjetër, duke sfiduar hapur autoritetet dhe duke deklaruar se nuk do të ndalet derisa kërkesat e tij të dëgjohen.
Gjatë një transmetimi LIVE në rrjetet sociale, ku po i drejtohej ndjekësve dhe qytetarëve, ndodhi ajo që shumë e konsideruan të dyshimtë: sinjali i ndërpritet papritur, duke e lënë fjalën e tij përgjysmë. Pamjet u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme, ndërsa Lapaj po fliste për rezistencën dhe frikën e qytetarëve.
Pas rikthimit të transmetimit, ai vijoi me tone edhe më të ashpra, duke bërë thirrje direkte ndaj qytetarëve që të mos heshtin më dhe të mos mendojnë vetëm për interesin personal.
“Nuk e mendoja që do të rezistoja kaq gjatë. Nuk e mendoja që njerëzit do të vinin të flinin këtu. Por frika po thyhet. Nëse mendoni vetëm për rrogën, për oborrin tuaj, për veten tuaj, një ditë do ta pësoni të gjithë. Pronën do jua marrin, fëmijët do t’jua largojnë, ushqimin do ta hani me helme dhe askush nuk do flasë për ju, ashtu siç nuk flisni sot për të tjerët”, u shpreh Lapaj.
Ai akuzoi qeverinë për dhunë, vjedhje dhe shtypje të qytetarëve, duke theksuar se protesta e tij është paqësore, por se pushteti po përpiqet ta shuajë me intimidim dhe forcë.
Rikthimi i Lapajt para Kryeministrisë dhe ndërprerja e papritur e LIVE-it kanë shtuar edhe më shumë tensionin politik, ndërsa pritet të shihet nëse situata do të përshkallëzohet apo do të ketë ndërhyrje të reja nga autoritetet.
