Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e kësaj të enjte në qytetin e Shkodrës, ku Shefi i Zyrës së Prokurimeve, u dhunua brutalisht nga dy persona.
Ermal Dizdari prej mëse 10 vitesh punonjës në Bashkinë Shkodër, sapo ka dalë nga banesa e tij, është përballur me dy persona, të cilët e kanë goditur me mjete të forta, duke e lënë me dëmtime të rënda.
Mësohet se Dizdari ndodhet në gjendje të rënduar për jetën pranë Spitalit Universitar të Traumes, ndërkohë blutë e shkodrës po punojnë për kapjen dhe vënien në pranga të autorëve.
Për ngjarjen ka reaguar ashpër edhe këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli, ku e ka dënuar aktin e dhunës, duke shtuar më tej se duhet dënuar edhe heshtja e Bashkisë Shkodër, Kryetarit të Bashkisë Benet Beci dhe 3 nën kryetarëve.
Shkreli i ka bërë thirrje policisë që të zbardhë sa më parë motivet e ngjarjes dhe të çojë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Reagimi i plotë nga Eliona Kodra Shkreli:
“Shefi i Zyrës së Prokurimeve në Bashkinë Shkodër, Ermal Dizdari I cili punon në atë pozicion pune prej mëse 10 vitesh është dhunuar sot në dalje të banesës së Tij me mjete të forta duke përfunduar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Me shkaqet dhe autorët do merren policia dhe drejtësia si institucionet ligjore që duhet të merren me hetimin e këtij krimi.
Dënoj me forcë aktin e dhunës ndaj një funksionari të një pozicioni të rëndësishëm shtetëror, dhe po aq fort dënoj heshtjen e Bashkisë Shkodër, Kryetarit të Bashkisë Benet Beci dhe 3 nën kryetarëve të Bashkisë Rudin Beka, Onid Bejleri dhe Teuta Qyteza mbi rastin në fjalë.
Është e pafalshme që të heshtet nga krerët drejtues Të institucionit të Bashkisë ndaj një punonjësi, vartës të tyre. Heshtja e tyre është miratim i dhunës dhe mungesë ndjeshmërie dhe respekti ndaj funksionarëve publikë.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardhë sa më parë motivet e ngjarjes dhe të çojë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Ermal Dizdarit i uroj shërim të shpejtë dhe të kthehet sa më parë në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve shkodranë!”, ka mbyllur reagimin e saj këshilltarja demokrate.
