Çfarë dihet deri tani për zjarrin tragjik në resortin e skive në Zvicër që la pas dhjetëra viktima

Data

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Zvicrën dhe opinionin publik ndërkombëtar në orët e para të Vitit të Ri 2026, pas një zjarri shkatërrues në një bar në resortin e njohur të skive Crans-Montana, në jug të vendit.

Bilanci i viktimave

Sipas autoriteteve zvicerane, dyshohet se dhjetëra persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë plagosur, shumica me djegie të rënda. Është ende herët për një shifër përfundimtare, por burime zyrtare kanë përmendur se numri i viktimave mund të arrijë rreth 40 persona.

Të plagosurit janë dërguar kryesisht në spitalin e rajonit Valais, ndërsa për shkak të mbingarkesës së repartit të terapisë intensive, është vënë në dispozicion edhe një njësi e specializuar për djegie në Milano. Identifikimi i viktimave pritet të jetë i vështirë dhe mund të zgjasë javë, për shkak të shkallës së lartë të djegieve.

Operacion masiv shpëtimi

Në vendngjarje u angazhuan 10 helikopterë, 40 autoambulanca dhe rreth 150 punonjës të emergjencës. Autoritetet po punojnë për identifikimin e trupave dhe njoftimin e familjarëve sa më shpejt të jetë e mundur.

Policia ka konfirmuar se mes viktimave dhe të plagosurve ka persona nga disa shtete, përfshirë Francën dhe Italinë. Ambasadat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të ofruar ndihmë konsullore.

Çfarë e shkaktoi zjarrin

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 sipas orës lokale, në barin “Le Constellation”. Autoritetet theksojnë se ngjarja nuk po trajtohet si sulm, por si një zjarr aksidental.

Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në ambient, një qiri i vendosur mbi një shishe shampanje dyshohet se ka marrë flakë pranë tavanit, i cili ishte kryesisht prej druri. Brenda pak sekondash, flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë lokalin, duke krijuar tym të dendur dhe panik.

Evakuimi ka qenë tepër i vështirë, pasi rrugët e daljes dhe shkallët rezultuan të ngushta, duke penguar largimin e shpejtë të personave që ndodheshin brenda.

Reagime dhe solidaritet

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe mesazhe solidariteti nga liderë dhe institucione europiane. Autoritetet e vendeve fqinje kanë ofruar ndihmë mjekësore dhe mbështetje për përballimin e situatës.

Rreth lokalit

Le Constellation ishte një bar i njohur dhe mjaft i frekuentuar në Crans-Montana, me kapacitet deri në 300 persona. Pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri janë periudha më e ngarkuar për resortet alpine, ndaj dyshohet se lokali ka qenë pothuajse plot në momentin e tragjedisë.

Hetimet për shkaqet e sakta të zjarrit vijojnë, ndërsa autoritetet zvicerane kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vend vitet e fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related