Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një fjalim të mbajtur në protestën te ‘Rruga e Shpresës’, ka folur për ligjin mbi arsimit të lartë në Shqipëri, ku tha se është një goditje fatale për arsimin.
Sipas Berishës, në 9 vite numrin e studentëve është përgjysmuar në shkollat e larta të vendit dhe janë dyfishuar tarifat
Kreu i PD-së kritikoi ligjin e ri për shkeljen e parimeve kushtetuese dhe përqendrimin e pushtetit akademik në duart e qeverisë, dhe u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve të mbrojnë lirinë akademike, të cilën e konsideron si bazën e funksionimit të universiteteve.
Ndër të tjera, Berisha i premtoi studentëve dhe pedagogëve se tarifat e universiteteve do të përgjysmohen dhe bursat nuk do të jenë më nën 200 euro.
“I garantoj studentët se në një akt të parë, tarifat e tyre do të përgjysmohen. Se në një akt të parë, nuk do ketë bursë në universitet nën minimumin jetik 200 euro. Garantoj pedagogët se në rast se sot, diferenca e buxhetit për shkencën është 8 herë më e ulët se në Serbi, se në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ajo do jetë një më një me këto vende dhe do të ecë drejt shifrave të BE-së”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës
Miqtë e mi, kjo garë, gara e dijes është gara më vendimtare për të ardhmen e një kombi dhe të një vendi. Në këtë garë, Edi Rama iu ka dhënë goditje fatale arsimit parauniversitar, shpartallimi i të cilit ka sjellë rënien më të madhe në botë në testin e cilësisë, në PISA, rënien me 68 pikë.
Goditje të rëndë, nga më të rëndat, i dha arsimit të lartë, duke përgjysmuar në 9 vite numrin e studentëve në shkollat e larta të vendit dhe dyfishuar tarifat. Tani, me ligjin e ri, duke shkelur parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ai po u jep universiteteve goditjen e mëshirës.
Sapo erdhi në pushtet, ky armik i egër i dijes dhe qenies shqiptare, ndaloi mbrojtjen e gradave në universitetet publike, akt të cilin nuk e ka bërë kurrë ndonjë qeveri. Dhe tani së fundmi, ka vendosur të shpallë veten kryeshkencëtarin e Shqipërisë, kryetarin e Këshillit Shkencor Kombëtar, në një akt që nuk e bëri kurrë Enver Hoxha, as Mehmet Shehu.
