Dyshime për shmangien e garancisë 8 mln € në tenderin e Porto Romano, akuza ndaj Enea Karakaçi

Data

Anulimi i tenderit për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano ka ngritur pikëpyetje të forta mbi procedurat dhe detyrimet financiare të kompanisë pjesëmarrëse.

Kompania greke Archirodon Group u tërhoq nga gara, ndërsa ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se arsyeja lidhej me rritjen e kostove dhe kompleksitetin teknik të projektit.

Megjithatë, sipas burimeve pranë procesit, ekzistojnë dyshime se tërheqja mund të ketë shërbyer për të shmangur pagesën e një garancie prej rreth 8 milionë eurosh, e cila sipas dokumenteve të tenderit duhej të depozitohej nga operatori ekonomik në fazën përfundimtare.

Edhe kryeministri Edi Rama ka mbështetur versionin zyrtar, duke theksuar se kompania vetë ka argumentuar tërheqjen me krizën e çmimeve dhe vështirësitë financiare për realizimin e projektit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik, procedura është mbyllur pa rezultat pasi kompania e vetme në garë nuk paraqiti ofertë financiare.

Dokumentet standarde të tenderit parashikonin një garanci prej rreth 7.99 milionë eurosh, e cila duhej të depozitohej në llogaritë e Autoriteti Portual Durrës. Dyshimet lidhen me faktin se kjo shumë nuk rezulton e bllokuar në sistemin bankar.

Nëse këto pretendime konfirmohen, çështja mund të marrë dimension penal, pasi dosja e tenderit tashmë është në fokus të SPAK, i cili pritet të verifikojë të gjithë procedurën dhe përgjegjësitë e mundshme.

Ndërkohë, anulimi i këtij projekti konsiderohet një tjetër goditje për një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend, duke shtuar pasigurinë mbi realizimin e tij në të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related